Belgjika ndaloi udhëtimet jo thelbësore drejt rajoneve spanjolle të Navarres, Aragonit, Barcelonës dhe Leridas në Katalonjë, në disa rajone të Zvicrës si Vaud, Valais, Gjenevë dhe në rajonin francez të Mayenne, për shkak të situatës së tyre epidemiologjike.

Ministria belge e Punëve të Jashtme përfshiu gjithashtu në këtë listë të kuqe rajonet bullgare të Severoiztochen dhe Yugozapaden, disa zona të Rumanisë si dhe qytetin e Leicester (Britani e Madhe).

Karantina dhe depistimi janë të detyrueshme për të gjithë udhëtarët që vijnë nga këto zona në Belgjikë.

Duke nisur nga dje, çdo person që hyn në Belgjikë nga jashtë ose që dëshiron të qendrojë më shumë se 48 orë në Belgjikë duhet të plotësojë një formular identifikimi, duke dhënë kordinatat e tij dhe vendet ku ka qendruar gjatë 14 ditëve të fundit.

Përballur me një rritje të rasteve me koronavirus, veçanërisht në rajonin e Anvers, Belgjika ka vendosur masa të tjera kufizuese duke reduktuar kontaktet e autorizuara, grumbullimet dhe mbajtjen e detyrueshme të maskës. Një shtetrrethim u dekretua nga ora 23:30 deri në orën 06:00 në Anvers.