Në gjashtë muaj që nga krijimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, janë depozituar 1339 ankesa nga qytetarët dhe institucione të ndryshme.
Në raportin e publikuar për periudhën shkurt – korrik 2020, theksohet se “pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar rreth 1339 ankesa, ku për 1275 ankesa pas përpunimit të informacionit fillestar është konfirmuar administrimi dhe trajtimi i tyre; janë miratuar 88 vendime për arkivimin e ankesës pas shqyrtimit fillestar dhe verifikimit; janë miratuar 6 vendime për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratëve; si dhe është nisur procedimi disiplinor për 2 magjistratë”.
Konkretisht, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, janë depozituar 757 ankesa të marra nga Këshilli I Lartë Gjyqësor si ankesa të prapambetura si dhe 140 ankesa të depozituara nga institucione të tjera ( KLP, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Presidenti i Republikës, SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, gjykata, bashki etj).
Gjithashtu, pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar 442 ankesa nga qytetarët dhe janë kryer 442 konfirmime mbi ankesat e depozituara nga qytetarët; 746 konfirmime mbi ankesat e prapambetura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si dhe 87 konfirmime mbi ankesat e depozituara nga institucione të tjera.
Gjatë kësaj periudhe, prioritet i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka qenë edhe shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet i të gjitha çështjeve të cilat kanë pasur një impakt publik.
Në këto kushte, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar kryerjen e një inspektimi tematik pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, gjykatave të apelit, si dhe të zyrave të prokurorive pranë tyre, mbi trajtimin e kërkesave me objekt “Lirim me kusht” për gjatë tri viteve të fundit.