Nga Alfred Peza/
Nëse doni të kuptoni sesi mund të qeverisë një opozitë nesër, mjafton të shihni se çfarë bën sot me ato që ka në dorë për të bërë, në të mirë të vendit dhe shqiptarëve!
Nëse doni të dini nëse do i respektojnë nesër institucionet, mjafton që të shihni sesi “Opozita e Bashkuar” është sjellë e po sillet sot me to. Sesi është sjellë dje me Parlamentin dhe mandatet që shqiptarët i besuan për të qenë pjesë e pushtetit legjislativ. Sesi është sjellë më Bashkitë në të gjithë vendit, kur duhet të garonte në 30 qershorin e 2019, për ti shërbyer qytetarëve në pushtetin lokal.
Nëse doni të dini sesi do të sillet një opozitë nesër në pushtetin ekzekutiv, mjafton që të shihni sot sesi e trajton Ilir Meta insitucionin e Presidencës, të shndërruar në një vend ku bën çdo gjë tjetër, përveçse ato që duhet të bëjë një Kryetar serioz i Shteti. Duke mos u bërë dot simbol i unitetit të të gjithë popullit shqiptar, por vetëm një lider i denjë opozitar. Duke e përdorur zyrën e qytetarit Nr. 1 të Shqipërisë, për interesin e luftrave politike personale. Për hallet politike vetiake. Për interesin e partisë së familjes së tij politike.
Nëse doni të dini sesi do të sillet nesër opozita kur të jetë në mazhorancë, me pushtetin e drejtësisë, mjafton të shihni se çfarë ka bërë ajo përgjatë këtyre viteve për ta penguar reformën e saj. Për të bllokuar ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Për ta vonuar reformimin e tyre. Për ta devijuar reformën. Për ta sabotuar atë. E mundësisht, nëse do ia dilte ta merte pushtetin në tavolinë, përmes revolucionit të “molotovëve”, edhe për ta zhbërë atë!
Nëse doni të shihni sesa do ta respektojë opozita nesër votën e shqiptarëve, nëse do ti besonit nesër mazhorancën për qeverisjen e vendit, mjafton të kujtoni sesi janë sjellë sot. Jo vetëm kur dogjën mandatet e fituara përmes votës së tyre më 2017. Por, edhe kur ishin kundër hapjes së listave të kandidatëve për deputetë, që tu jepnin mundësinë qytetarëve të zgjedhin ata vetë dhe jo Basha me Kryemadhin, se kë do të çojnë që ti përfaqësojë nesër në Kuvend.
Nëse doni të shihni sesi do të sillen nesër kur të jenë në pushtet, opozitarët tanë të sotëm me sistemin arsimor, mjaftontë të kujtoni sesi u sollën dje me shkollat për interesin e tyre personal politik. Mjafton të mos harroni sesi i dogjën shkollat, klasat, bankat, laboratoret në Shkodër a gjetkë, ku ndodheshin materialet zgjedhore, një vit më parë. E mbi të gjitha, sesi as nuk u penduan, as kërkuan ndjesë dhe as nuk premtuan se nuk do të përsëritet më në të ardhmen.
Nëse doni të kuptoni sesi do ta menaxhojnë nesër një situatë të ngjashme, efektet dhe pasojat që sjell Covid-19 në jetën e çdo shqiptari, mjafton të kujtoni se çbëni deri dje. Sesi donin të përfitonin politikisht në kurriz të shëndetit, jetës dhe sigurisë së tyre për përfitime politike të ditës. Duke përhapur panik, duke amplifikuar situata fake e duke përhapur lajme fake. Mbi të gjitha duke mos treguar solidaritetin e duhur me heronjtë e kësaj periudhe, mjekët. Por duke ndërsyer e përdorur militantët e tyre me bluza të bardha, për nevojat e tyre politike të ditës.
Nëse do të duhej të vazhdohej kësisoj me çdo sektor, nëse opozita jonë do të jetë nesër në pushtet, lista do të bëhej e gjatë. Madje shumë e gjatë, aq sa do ti rrinte shumë shumë ngushtë një shkrimi të tillë. Sepse në vend që të ofrojnë pozitivitet, për të përcjellë ide, alternative, konstruktivitet, optimizëm dhe frymë ndryshimi për të ardhen, opozita jonë bën “Sjellësin e fatkeqësive” dhe rolin e “Tersit të Pojanit”.
Jo vetëm në botën demokratike, jo vetëm në perëndimin e qytetëruar, jo vetëm në shtetet në stadin tonë të zhvillimit pluralist, por edhe në historinë tonë të këtyre 30 viteve post komuniste, çdo gjë mund të ketë ndodhur, por një gjë as ka ndodhur e as ka për të ndodhur kurrë: Që një opozitë të rikthehet në pushtet, përmes negativitetit. Përmes antisimboleve. Përmes mungesës së frymës së progresit. Përmes pesimizmit dhe destruktivitetit.
E kundërta është e vërtetë: Edhe kur PD erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, edhe kur PS u rikthye në pushtet përmes zgjedhjeve të 1997, edhe kur Berisha u rikthyer sërisht në pushtet më 2005, e kur e majta fitoi bindshëm në 2013, në të gjitha rastet ndryshimi ka ardhur nga shpresa për diçka më pozitive. E jo nga padurimi kalendarik i një rrotacioni, që nuk ndodh, nëse mungon fryma, shpirti dhe optimizmi për një të nesërme më të mirë se e djeshmja!