Nisur nga situata e krijuar prej COVID-19, qeveria rriti me 200 milionë lekë fondin e planifikuar për skemën e papunësisë.
Fondi prej 200 milionë lekësh është parashikuar në rishikimin që Ministria e Financave dhe Ekonomisë i bëri buxhetit të vitit 2020.
Në mbështetje të qytetarëve, qeveria vendosi gjatë kësaj periudhe edhe dyfishimin e pagesë së papunësisë dhe ndihmës ekonomike për një periudhë tremujore.
Me rihapjen e ekonomisë, pas një ndërprerjeje të disa aktiviteteve ekonomike për të kufizuar përhapjen e COVID-19, të dhënat për të punësuarit dhe të rikthyerit në punë janë pozitive.
Në fund të muajit qershor, efekti neto i largimeve dhe punësimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë është vetëm 8 mijë punonjës.
Me qëllim nxitjen e punësimit në vend qeveria ka miratuar edhe tri skema të mbështetëse për punëdhënësit.
Nga kjo skemë e ripunësimit, dy programet e para prej 4 dhe 8 muajsh adresohet për të papunët e larguar deri më 23 Qershor.
Sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, vendimi mbështetet punësimin e personave të dalë të papunë si pasojë e COVID-19, nga data 10 mars 2020 deri në datën 23 qershor 2020. Programi 12 mujor adresohet për punëmarrësit informalë.