Shanse të barabarta për të gjithë, investime kapitale, zhvillim proporcional të rajoneve, qeverisje shumënivelëshe dhe decentralizim të plotë të pushtetit lokal, eliminim të oligarkëve dhe harambashëve që shfrytëzojnë lidhjet me pushtetin për pasurim abuziv dhe riporcesim të rasteve të montuara brenda këtyre njëzetë viteve, do të mjaftonin të jenë shtyllat kryesore mbi të cilat do të duhej të projektohej programi i ri bashkëqeverisës Nga Emin AZEMI/ Qeveria e re, krahas çështjeve të vjetra-reja, do të ketë edhe një partner të ri (Lëvizja BESA) dhe dy të vjetër (BDI-LSDM). Po t’i lexonim edhe njëherë kujtimet e ish Kancelarit Gjerman, Helmut Kohl, sigurisht që do të pajtohemi më të kur thotë se pas formimit të kabinetit të ri qeverisë, më shumë do të ketë kritikues, se sa përkrahës. Kritikuesit do të thonë pse nuk më zgjodhën mua ministër, kurse unë i shkreti mund të marrë vetëm 12,13 veta për të formuar kabinet qeveritar, thotë Kohl.
Kritikuesit Edhe Qeveria e re (LSDM, BDI, BESA, PDSH) do t’i ketë kritikuesit e saj, por më të paktë do të jenë ata që do të ankohen pse nuk janë bërë ministra. Të shumtët, nga radhët e shqiptarëve të pakënaqur, që sigurisht nesër do të ndodhen në kujtimet e Ali Ahmetit, do të bashkohen rreth një kritike kryesore: Pse BDI hoqi dorë nga ideja për Kryeministër të parë shqiptarë? Edhe Zoran Zaevi nuk do të kalojë mirë me kritikuesit e tij maqedonas. Ata sigurisht do ta akuzojnë për shumë gjëra, por do të jenë dy, tri akuza që do t’i rrotullojnë gjatë gjithë kohës në “xhuboksin” e mullirit opozitar. Pse Zaevi bëri koalicion me BDI-në kur gjatë fushatës zgjedhore u angazhua që ta çoj atë në opozitë dhe përdori një retorikë ofenduese ndaj saj? Pse Zaevi ua la resorët më të rëndësishëm BDI-së në këmbim të ruajtjes së kolltukut të kryeministrit? Sigurisht që publiku maqedonas i fokusuar rreth kauzave opozitare, ka edhe kritika tjera ndaj kryeministrit Zaev, por VMRO-së do t’i duhet ende kohë të reformohet së brendshmi, të paktën deri në atë shkallë sa të ketë moral t’i kërkoj llogari për qeverisje të pastër oponentit politik. Opozita shqiptare pas përfundimit të zgjedhjeve të 15 korrikut zhvilloi një fushatë publike të gjerë për të kontestuar dhe relativizuar fitoren e BDI-së. Por, pati edhe një ofertë bujare, të cilës nuk iu përmbajt deri në fund, se do të mbështesin kandidaturën e re për Kryeministër shqiptar nëse ajo vjen në Parlament. Opozita pati rastin që këtë ofertë të saj ta shndërrojë në platformë të veprimit politik më 13 gusht, në një takim që ishte thirrur nga Ali Ahmeti. Nëse do të mbahej ai takim, sigurisht formimi i qeverisë së re do të kishte performancë dhe e strukturë tjetër, ku gjithsesi nuk do të përjashtohej edhe Kryeministri shqiptar. Ndryshe nuk do të kishte logjikë ky takim, sepse BDI edhe ashtu nuk e ka pasur problem t’i bëjë numrat bashkë me LSDM-në për të formuar Qeverinë e re. BDI madje ka pasur ofertë edhe nga VMRO, por ajo iu përmbajt një parimi që nganjëherë në politikë flijimi i premtimeve elektorale mund të ndodhë nëse në këmbim arrihet një kompromis që do ta bënte procesin më shpresëdhënës për shumë çështje të hapura, që janë ndoshta më të qenësishme se posti i kryeministrit.
A ishte edhe në dorën e opozitës Kryeministri i parë shqiptar? Për rrjedhojë, kritikat për mospërmbushjen e idesë së Kryeminstrit shqiptar, nuk do të duhej të adresohen ekskluzivisht vetëm tek BDI, por edhe tek opozita. Ftesa që iu bë kësaj të fundit në takimin e 13 gushtit kishte një temë qendrore: marrjen e përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme të vendit. Opozita me vullnet dhe pa presion u vetpërjashtua nga tryeza e bisedimeve brendashqiptare dhe me këtë humbi edhe të drejtën morale që të kërkojë llogari nga BDI për mospërmbushjen e idesë së Kryeministrit shqiptar. Përqendrimi i opozitës vetëm në kontestimin e fitores së BDI-së, liferimi i informacioneve se gjoja do të bëjnë koalicion me LSDM-në duke huazuar edhe katër deputetë të VMRO-së, takimet jotransparente me liderët maqedonas, dhe heqja dorë nga bashkëpunimi brendashqiptar për të nxjerrë një produkt më të dinjitetshëm politik pas fitores kolosale me 32 mandate të përbashkëta shqiptare, e bën opozitën shqiptare (AA-ASH) më pak të besueshme në kauzat e saj për të demonstruar një qëndrim që do të ishte i kapshëm për të gjithë, sidomos për ata që kanë pritur se bashkëpunimi politik shqiptar në këtë proces pas zgjedhor do të arrijë të prodhojë një standard të ri vendimmarrës të shqiptarëve në Maqedoni. Zhvillimit ekonomik e social – lajtmotivi i programit qeverisë Qeveria e re po vjen në kohën kur vendi ndodhet në procesin negocimit me BE-në, ku shumë lëvizje politike e institucionale ndodhen nën reflektorët e ndezur të Brukselit, por po vjen edhe në rrethana më relaksuese sa i përket marrëdhënieve me fqinjët, sidomos me Greqinë dhe Bullgarinë. Nëse anëtarësimi në NATO i atribuohet sidomos relaksimit të këtyre marrëdhënieve, atëherë është e logjikshme të presim që pikërisht ky binom LSDM-BDI të vazhdojë betejat diplomatike edhe në plotësimin e standardeve të kërkuara nga BE për t’u bërë një ditë anëtare e plotë e saj.
Zaev dhe Ahmeti premtuan se do të punojnë në harmonizimin e programit qeverisës. Ata gjithashtu premtuan se do të dërgojnë ligje në Parlament, për të cilët paraprakisht do të merren vesh, por edhe do të reduktojnë administratën në llogari të cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Dy liderët thanë se do të këmbëngulin në luftimin joselektiv të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe do të vendosin një standard të ri në vlerësimin e kuadrove që do të marrin drejtimin e institucioneve, përfshi edhe gjyqësorin. Qeveria e re duhet të jetë qeveri e zhvillimit ekonomik e social dhe një shpresë më shumë për të gjithë ata që do t’iu nënshtrohen garës së konkurrencës në të gjitha fushat e jetës. Shanse të barabarta për të gjithë, investime kapitale, zhvillim proporcional të rajoneve, qeverisje shumënivelëshe dhe decentralizim të plotë të pushtetit lokal, eliminim të oligarkëve dhe harambashëve që shfrytëzojnë lidhjet me pushtetin për pasurim abuziv dhe riporcesim të rasteve të montuara (sidomos kundër disa shqiptarëve) brenda këtyre njëzetë viteve, do të mjaftonin të jenë shtyllat kryesore mbi të cilat do të duhej të projektohej programi i ri bashkëqverisës.