Ju do të mendonit se nuk do të ishte e vështirë që doktorë nga e gjithë bota do të shprehnin gatishmërinë që të punojnë në një vend të bukur të Zelandës së Re, në Tokoroa. Dhe kjo bindje gjithsesi do të shtohet kur bukurisë ia shtojmë edhe kushtet që ofrohen për një vend të tillë të punës. E përfitimet janë: rreth 20 mijë euro në muaj, pa punë gjatë natës, e as në fundjavë, me qira të vogël, katër ditë pune, 12 javë pushim në vit. Por, përkundër këtyre kushteve, një doktor që gjendet tashmë atje nuk ka mundur të gjejë “zëvendësimin” e tij.
Madje në katër muajt e fundit ai nuk ka marrë ndonjë “përgjigje interesi”. Alan Kenny (61) punon si doktor në Tokoroa, një fshat me rreth 13,500 banorë dhe rreth 130 milje në jug të Auckland. Ai ishte zhvendosur nga Britania e Madhe, 30 vite më parë por mendon se largësia e fshatit nga qytetet e mëdha dhe ngarkesat në punë mund të kenë kontribuar në mungesë të interesimit për studentët e mjekësisë nga ato zona. Ashtu si shumë vende, Zelanda e Re tenton për të rekrutuar mjekët e rinj në zonat rurale, me një raport ku thuhet se 37% e pozicioneve rurale ishin të zbrazëta vitin e kaluar.
Ai tani “ballafaqohet” me rreth 6000 pacientë të mundshëm, gjë e cila edhe i lejon që të ketë një pagë rreth dyfish nga norma mesatare e Zelandës së Re. Përkundër kësaj, ai nuk mund të përballojë këtë ngarkesë të punës kështu që është duke kërkuar një mjek për të ndarë punën e tij ose ta marrë atë përsipër plotësisht. “Është një problem i madh për të gjetur zëvendësime”, ka thënë ai për mediat lokale. “Vitin e kaluar, kam anuluar pushimet, sepse unë nuk mund të gjeja një zëvendësues… dhe këtë vit ndoshta do të duhet ta bëjë të njëjtën gjë”. Ai ka thënë gjithashtu se vetëm gjatë një dite ka raste kur kishte 43 pacientë, duke punuar prej 8.30 deri në 18.00, pa bërë asnjë pushim dreke.