Janë 172,473 punonjës që u është paguar bonusi prej 40 mijë lekësh si pjesë e paketës së dytë financiare, mbështetje ndaj pandemisë. Deri tani janë paguar 6.89 miliardë lekë, nga 8.5 miliardë lekë, që është fondi total, sipas të dhënave që janë publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në statistikat e saj për COVID-19. Pjesa më e madhe e përfituesve i përkasin masës së parë, që përfshin subvencionim për punonjësit e larguar dhe ata aktualë në bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë të mbyllur nga urdhrat e MSHMS-së për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Referuar të dhënave në total kanë aplikuar 54 852 subjekte. Për 47 719 subjekte është miratuar kërkesa, ndërsa për 47 433 subjekte është paguar shuma. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ende të hapur deri më 31 gusht procedurën e korrigjimit të të dhënave për ata punonjës që për shkak të deklarimeve gabim ende nuk e kanë përfituar bonusin prej 40 mijë lekësh, duke u dhënë atyre mundësinë të korrigjojnë të dhënat e tyre në llogaritë personale të e-filling të punëdhënësve.
Paketa e II e mbështetjes për qytetarët e prekur në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19, përfshinte subvencionim për punonjësit e larguar dhe ata që ishin në punë në bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë të mbyllur nga urdhërat e MSHMS-së, mbështetje për të larguarit nga puna në periudhën 1 mars – 17 maj për të gjitha subjektet e hapura apo të mbyllura nga urdhërat e MSHMS-së, subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë përjashtuar 8,000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1, etj, subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit dhe mbështetje për punonjësit e Rafinerisë së Ballshit (Punonjës me pagë nën 100 mijë lekë/muaj).