Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj tha se ndryshe nga zonat urbane, në ato rurale pandemia nuk pati efekte negative ekonomike pasi eksportet u rritën me 4.5% krahasuar me vitin e kaluar të po të njëjtës periudhë.

Sipas Rrapajt, pavarësisht nga pasojat e tërmetit, pavarësisht nga pasojat e COVID-it në marrëdhënie me jashtë, bujqësia lëvizi në mënyrën e duhur në mënyrë të tillë që rezultati është që 6-mujori ka 4.5% më shumë eksporte sesa 6-mujori i parë i vitit të kaluar.

“Ka rezultate që janë të matshme dhe kjo ka ardhur si rezultat i përballjes me të dy vështirësitë që kanë pasur operatorët në këtë sektor, duke pasur parasysh që ky sektor është sektori më i rëndësishëm për furnizimin me ushqime dhe natyrisht që të gjithë ata që punojnë këtu kanë pasur edhe ndërgjegjësimin edhe detyrimin për të punuar. Dhe realisht kanë punuar nga fillimi deri në fund përveç dy javëve të para, të cilat ishin javë që nuk arritën të konsolidoheshin”, tha ai.

“Në këtë moment që ne flasim bashkë ka disa rezultate. Natyrisht që të vlerësosh një sektor në të gjitha aspektet e veta, kaq i gjerë sa është sektori i bujqësisë por kur kemi parasysh ushqimin, nuk kemi parasysh vetëm bujqësinë. Kemi parasysh bujqësinë, blegtorinë, peshkimin dhe akuakulturën, agrobiznesin që në qendër të tyre janë qendrat e grumbullimit dhe të përpunimit. Kemi agropërpunimin, bimët medicinale dhe bletarinë, kemi agroturizmin dhe mjedisin por kemi edhe mikrofinancën. Në këtë prizëm, po t’i shikosh të gjitha këto hallka të zinxhirit të ushqimit kanë funksionuar dhe kjo ka dhënë rezultatet e veta. Ka dhënë rezultatet e veta sepse në zonat rurale pandemia nuk pati ato efekte negative që pati në zonat urbane për vetë specifikën dhe mënyrën e punës në këto zona. Dhe kjo bëri të mundur që pavarësisht nga pasojat e tërmetit, pavarësisht nga pasojat e COVID-it në marrëdhënie me jashtë, bujqësia lëvizi në mënyrën e duhur në mënyrë të tillë që rezultati është që 6- mujori është 4.5% më shumë eksporte sesa 6-mujori i parë i vitit të kaluar”, deklaroi Rrapaj.