Temperatura mesatare vjetore në territorin shqiptar është rritur, por kjo rritje nuk reflektohet në mënyrë homogjene. Ngrohja më e madhe vrojtohet në orët e mëngjesit dhe në zonat më të ftohta historikisht në vend. Paradoksi nuk mbaron këtu. Janë pakësuar ditët me reshje, por kjo nuk është reflektuar ende në sasinë e reshjeve vjetore sepse mjaftojnë 2-3 ditë me reshje intensive për të plotësuar kuotën e reshjeve mujore apo deri edhe stinore.

Ngjarjet e motit ekstrem janë shtuar, ky është ndër faktet më të qarta që tregon ndikimin e ndryshimeve klimatike në Shqipëri. Por, ndryshimet janë të dukshme edhe ndër elementët më bazikë të klimës, ndryshime që shfaqen të forta në një zonë të vendit apo fare të lehta në një zonë tjetër.

Gjatë këtij shekulli, nga zona malore në ultësirë apo edhe në zonat bregdetare, ndryshimet klimatike paraqiten jo të vogla dhe rrugëtimi ynë statistikor fillon në Kukës dhe Korçë, dy qytete malore të Shqipërisë të cilat prodhojnë shifra, tregues, raporte, por që nuk janë gjë tjetër veçse fakte të një klime që po ndryshon. Kukësi është qyteti verilindor që i takon klimës mesdhetare malore, me mesatarisht 1500 orë me diell gjatë vitit. Në kushtet e një klime normale, Kukësi gjatë dimrit është i ftohtë me temperatura disa gradë nën zero dhe reshje të dendura dëbore, por në muajt e nxehtë të vitit, në Kukës shënohen temperatura të larta, të përafërta me vlerat termike të zonave kodrinore apo të ulëta. Por, çfarë ka ndodhur me klimën e këtij qyteti në dy dekadat e fundit?

Në klimën e Kukësit të sotëm, ndryshimet vrojtohen në shumë elementë të klimës, por ky ndryshim spikat në mungesën e dëborës; janë rralluar ditët me dëborë, është pakësuar sasia e dëborës gjatë vitit si edhe pranvera e hershme e gjen përgjithësisht dëborën të shkrirë. Por, paradoksi qëndron në shtimin e stuhive të dëborës, ku mjafton një ditë apo vetëm disa orë me dëborë intensive që Kukësi të izolohet nga pjesa tjetër e vendit. Ndryshimet e klimës kanë pakësuar sasinë e reshjeve vjetore, por kanë rritur me gati 2 gradë temperaturën vjetore, ndërsa nuk janë prekur vlerat absolute historike. Temperatura absolute më e ulët apo më e larta mbeten si 30 vite më parë: -22 gradë Celcius ka shënuar dimri i vitit 1985, ndërsa maksimumi historik i takon tre viteve më vonë: verës së 1988. E ardhmja do të theksojë ndryshimet në klimën e Kukësit, temperatura do të vijojë të rritet dhe dëbora do të bëhet një fenomen i rrallë.

Edhe Korça, në skajin tjetër të vendit, nuk mund të kuptohet pa të ftohtin dhe dëborën të cilën, shpeshherë dimri e ruan edhe në prill. Në kushtet e një klime normale, Korça ka një dimër të gjatë me temperatura të ulëta deri 20 gradë nën zero dhe me mungesë të reshjeve, gjë e cila sjell periudha të gjata me ngrica. Ndër vite, klima e Korçës, edhe gjatë stinës së nxehtë e ka ruajtur kombinimin e tipareve mesdhetare malore me ato kontinentale. Por, kjo ndodhte në Korçën e së shkuarës.

Në Korçën e këtij shekulli, në Korçën e ditëve të sotme, tiparet e klimës kontinentale në dimër apo verë, sa vijnë dhe bëhen më dominuese. Dëbora shfaqet vetëm me stuhi 2-3 ditore duke shtruar edhe mbi 1 metër, por shumë shpesh kjo shtresë e bardhë zhduket pa ngrirë ende. Kjo vjen si pasojë e rritjes së menjëhershme të temperaturave të ajrit dhe njëkohësisht, e prezencës së reshjeve të shiut me intensitet të lartë. Tiparet që spikatin në klimën e ndryshuar të Korçës janë temperaturat e larta gjatë periudhës së verës dhe reshjet intensive ditore, të cilat shpesh tejkalojnë maksimumin vjetor prej 100 milimetrash. Për Korçën, klima në tërësinë e saj ka ndryshuar. Megjithëse nga pikëpamja e reshjeve është zona më e varfër, reshjet do të pakësohen akoma më tepër në të ardhmen.

Edhe për Korçën, paradoksi qëndron në shtimin e stuhive me reshje intensive, jo të dëborës, por të shiut. Gjatë stuhive ditore të verës apo vjeshtës, në vetëm 24 orë Korça merr sasinë mujore të reshjeve. Edhe temperaturat e ajrit janë ndikuar nga ndryshimet klimatike, ndryshime më të ndjeshme në muajt e nxehtë të vitit, kur termometri maksimal ngjitet shpesh mbi 30 gradë Celcius; një vlerë tipike kjo e zonave të ulëta. Vlen të veçohet fakti se qyteti i Korçës, megjithë ndryshimet e qarta në disa prej elementëve të klimës, ruan edhe sot minimumin absolut historik prej -21 gradë Celcius, shënuar në dimrin e vitit 1963, por ka vendosur rekord të ri të temperatureës maksimale prej 39,1 gradë Celcius, regjistruar në korrikun e vitit 2015.

Ndryshimet klimatike çdo vit e më tepër bëhen më të theksuara në zonën e Korçës. Shtimi i ngjarjeve me reshje intensive në një zonë historikisht të thatë si Korça do të rrezikonte zgjerimin e zonave moçalore në juglindje të vendit. (Nga Tanja Porja, A2 CNN)