Një herë në 4 vjet ekonomia është kryefjala e politikës, edhe pse në fushatat elektorale vështirë të gjesh fjalime konkrete për planet ekonomike, më shumë sesa propagandë e sulme personale.
Këtë vit nën ethet e parakohshme të zgjedhjeve, partitë politike kanë nisur me premtime elektorale. Kreu i selisë blu, Lulzim Basha ashtu si edhe përpara 4 vitesh zgjidhjen e sheh tek heqja e taksës progresive dhe anulimi i koncesioneve.
“Politika jonë fiskale është pjesë e Planit Ekonomik për t’i kthyer frymëmarrjen vendit dhe ekonomisë së njerëzve: më shumë të ardhura në xhepat e tyre dhe më pak taksa. Ne besojmë se më shumë para në duart e qytetarëve do të nxisin investimin në arsimim dhe kualifikim dhe do t’i japin frymë rritjes ekonomike. Politika jonë fiskale ka në bazë taksën e sheshtë 9% për qytetarët dhe të punësuarit, taksa më e thjeshtë dhe më e ulët në të gjitha vendet e rajonit. Vendit i duhet një ndryshim i madh dhe rrënjësor! Ne do t’i eliminojmë nivelet e shumta të taksave mbi punën, do t’i heqim pengesat që vetëm frenojnë zhvillimin dhe do të thjeshtojmë të gjithë sistemin”, shkruan Basha ne facebook.
Në fakt, ky premtim nuk është asgjë e re. Njëjtë edhe në vitin 2015, kur mbaheshin zgjedhjet lokale, Basha artikuloi të njëjtin program.
“Uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan 9% taksë e sheshtë për të gjithë pa përjashtim. Ku janë lekët tuaja që ua marrin me taksa më të larta. Nuk do të marrim më shumë por më pak lek nga xhepat tuaj, ulim taksat që paguajnë familjet, taksat që paguan biznesi, taksën e qarkullimit, subvencione për bujqësisë, ulje të çmimit të energjisë, heqjen e TVSH-së për produktet e shportës, falim kamatëvonesat për energjinë dhe ujin”, deklaroi përpara qytetarëve në vitin 2015.
Të njëjtin plan krye-demokrati e shpalosi përsëri 2 vite më pas, në vitin 2017, ku iu premtoi fermerëve subvencion dhe mbështetje.
“Me taksën e sheshtë 9%, do të sigurojmë qindra milionë euro kapitale dhe kreditime të ekonomisë. Këto, do të kthehen në vende pune, në punësim , në pozitivitet dhe rritje ekonomike. Fermerët e Kukësit dhe mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se në Republikën e Re kanë 100 milionë euro subvencione çdo vit për ta. 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto do destinohet për të financuar fermerët, pa sekserë, pa burokraci, pa Nipt. Ne do të hapim vende pune, do të hapen fabrika për shkak të taksës më të ulët në Ballkan”, është shprehur Basha në qershor të vitit 2017.
Zgjidhja që kryetari i Partisë Demokratike propozon për krizën ekonomike që sipas tij nga mbërthyer vendin, është e njëjtë me atë të 5 viteve më parë, pavarësisht se ekonomia e vendit tashmë po përjeton rënien më të madhe të saj si pasojë e pandemisë. Zgjidhje, që më së shumti, i ngjasojnë mbijetesës politike me “asin nën mëngë” për të pasur në letra që program ekonomik.(shqiptarja.com)