Nga Ilir Beqja/

Ka disa ditë që debati më i ethshëm në opinionin publik është modaliteti i zhvillimit të vitit shkollor 2020-2021. Shqetësimi është mëse i përligjur. Për fat të keq edhe në këtë debat po na udhëheqin emocionet. Kushte ideale këto për tu zhvilluar edhe gjithollogjia, edhe partizanizmi.

Përtej interesit qoftë në nivel kombëtar sesi do të zhvillohet ky vit shkollor, që besoj se nuk ka të ngjajshëm në historinë moderne të njerëzimit (as nën regjime pushtimesh ushtarake të huaja vendet e ndryshme nuk janë privuar nga mësimi në klasa), besoj se nuk duhet në asnjë moment harrojmë sesa e rëndësishme dhe e domosdoshme është të diskutojmë, debatojmë dhe vendosim se çfarë do të duhet të mësojë shkolla jonë. Dhe ky nuk mund të jetë debat vetëm i profesionistëve të arsimit dhe të edukimit.

* * *

Virus, mikrob, bakterie, vaksinë, imunitet, testim, tampon, falspozitiv, plazëm, antitrupa, karantinim, lockdown, etj. Lista të hapura, lista të mbyllura, proporcional, prag elektoral, kolegj, etj. Inflacion, dividend, kriptomonedhë, aksione, bursë, regjistra fundorë, etj. Fjalët kyçe të mësipërme kanë dominuar jetën publike shqiptare (dhe jo vetëm) në 6 muajt e fundit. A mund të më thoni sa prej nesh kanë njohuri për sa më sipër bazuar në sa mësojmë në shkollë? Dhe sidomos sa jemi në gjendje të dallojnë ndryshimin midis njërit dhe tjetrit?

Por, nga ana tjetër, fjalët kyçe të mësipërme lidhet me aspekte thelbësore të jetës sonë aktuale. Mbi to na duhet të marrim vendime apo mbi to, merren vendime për ne. Ndërkohë që dijet tona për to janë mjaft të sipërfaqshme. Dhe përfundojmë tek prof. Google ku mësojmë çfarë e si mundemi. Vitet e fundit është bërë evidente që duhet të bashkëjtojmë mids dy botëve, asaj reale (fizike) dhe asaj virtuale (digjitale). Pandemia e Covid-19 po në tregon se qenka edhe një botë tjetër po kaq e rëndësishme, ajo biologjike. Dhe paradoksalisht, sa më shumë mësojmë rreth tyre aq më i turbullt na bëhet mbarimi i njërës dhe fillimi i tjetrës.

Më tej në jetën e përditshme po bëhen gjithnjë e më të domosdoshme edhe zhvillimi aftësive krijuese, komunikuese, bashkëpunuese. Pa harruar edhe të menduarit kritik.
Është pikërisht ky hendek gjithnjë e më evident midis çfarë mësohet në shkollë dhe çfarë na duhet në jetën e përditshme që duhet të na bëjë të refklektojmë thellë se çfarë duhet të mësojmë në shkollë.

* * *

Unë vetë kam mbaruar studimet e larta 5 vjeçare për informatikë të përgjithshme në vitin 1990. Nga ajo periudhë mbaj mend, midis shumë gjërash të bukura e me vlerë, tri momente shumë të rëndësishme që më kanë ndriçuar në çdo hap të të gjithë aktivitetit tim 30 vjeçar. E para. Im atë, që ia kushtoi gjithë jetën e tij arsimit, edukimit, pedagogjisë, psikollogjisë dhe sociollogjisë, më thoshte herë pas here se shkolla e lartë duhet të ketë si qëllim kryesor të të mësojë se si do të duhet të mësosh në jetë.

E dyta. Pedagogët tanë të lëndëve informatike kishin kryer studime pasuiversitare kryesisht në Francë. Në provime na linin të mbanim librat dhe fletoret hapur. E treta. Vit pas viti, u bë mëse e zakonshme, që pedagogët në fund të orës së mësimit të na jepnin si detyrë shtëpie të vërtetonim të anasjelltën e asaj çfarë na kishin shpjeguar në klasë. Ishte ndonjë pedagog që kishte “huqin” që pikërisht ndonjë nga këto detyrat e shtëpisë e kishim edhe në teznë e provimit.

* * *

Para 70 vjetësh beteja kryesore në Shqipëri ishte me analfabetizimin. Prej 10 vjetësh beteja është përqëndruar kundër analfabetizimit funksional. Por edhe ky kufizohet tek gjuha, letërsia dhe matematika. Dekada ku sapo kemi hyrë në mënyrë më të paimagjinueshme dhe më distruptive në historinë moderne të njerëzimit kërkon nga nxënësit të zhvillojnë aftësi të reja që shkojnë përtej kuadrit ekzistues të të mësuarit klasik.

Coivd – 19 na tregoi se sa të domosdoshëm janë tabletat apo smartphone-t si dhe interneti cilësor. Por edhe nëse kriza e Covid-19 përfundon, nuk duhet të na shërbejë vetëm pse zëvendësuam tabelën e zezë më Zoom-in. Duhet të guxojmë të mendojmë atë që deri vjet dukej si fantashkencë. Nxënësve u duhet krijuar mundësia që në shtëpi të zhvillojnë aftësitë në shkencë e teknollogji. Kjo e bën të domosdoshëm garantimin e pajisjes digjitale dhe aksesit në internet cilësor për çdo familje. Në të kundërt qoftë politika e ofrimit të librave falas, qoftë mësimi i programimit që në klasë të parë fillore do të jenë të cunguara.

* * *

Sa më sipër janë përsiatje vetjake. Ka aty mendime që vijnë si bir i dy prindëve arsimtarë, si nxënës e si student, si prind, por edhe si politikan. Mund të jenë jo të sakta, jo të gjetura. E di që duhen klasa. E di që duhen laboratorë. E di që duhen paga të mira ëpr mësuesit. E di që duhet transport për nxënësit e mësuesit. I di të gjitha këto. Por nuk ma heq kush bindjen se:

Na duhet një sistem i ri arsimor për dekadën e ardhshme. Na duhen mësues për këtë sistem të ri arsimor. Na duhet edhe të ndihmojmë prindët të përshtaten në këtë sistem të ri arsimor. Duhet të diskutojmë për të gjitha këto. KOHA ËSHTË TANI.

Do të jem shumë i lumtur nëse këto shënime do të nxisin një diskutim 360 gradë për këtë temë. Sepse besoj se kjo mbetet gjithnjë “temë e ditës”.