Philippe Coutinho e ka pranuar se nuk e di se çfarë e ardhme e pret, para se të rikthehet në Barcelonë nga Bayern Munich. Coutinho e krye huazimin në Bayern duke e fituar Ligën e Kampionëve, pas triumfit 1:0 kundër Paris Saint-Germain në finalen e Lisbonës të dielën. Përfaqësuesi brazilian pritet të largohet nga Barcelona përfundimisht këtë verë dhe është përfolur se ai mund të kthehet në Premierligë.

Ish-ylli i Liverpoolit, i cili u fut në lojë nga stoli kundër PSG-së, thotë se mezi e pret sezonin e ri 2020/21, edhe pse ende s’e di se ku do ta kalojë atë. “Nuk kam menduar për këtë. Duhet të kthehem në Barcelonë dhe dua të punoj zellshëm për ta pasur një vit madhështor. Nuk e di nëse do të jem në Barcelonë”, tha Coutinho për Movistar +.

Derisa Barça e mbaroi sezonin pa trofe, Coutinho e fitoi tripletën me Bayernin, madje duke i ndihmuar kampionit gjerman ta shkatërrojë dhe turpërojë klubin e vet 8:2 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Coutinho i shënoi dy gola në atë përballje me Barcelonën.