2020-ta ka qenë një vit i vështirë për të gjithë dhe, në rrethana të tilla, vendimi i “France Football” për të anulluar dhënien e “Topit të Artë” të këtij viti është i kuptueshëm. Sidoqoftë, që nga kthimi i futbollit, lojtarët më të mirë iu kanë ofruar tifozëve, në të gjithë botën, një lehtësim marramendës nga pandemia globale.
Ciro Immobile i Lazio fitoi “Këpucën e Artë” të Europës. Ekipi emocionues i Liverpool, me yje të tillë si Mane, Salah, Alexander-Arnold dhe Van Dijk ngriti titullin e tyre të parë anglez në 30 vite. Neymar u mahnit kur PSG-ja arriti në finalen e saj të parë të Ligës së Kampionëve. Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi, tani të dy mbi të 30-tat, e vazhduan karrierën e tyre statistikisht plot ritëm. Dhe sigurisht, një ekip i mrekullueshëm i Bayern Munich, i udhëhequr nga golat e Robert Lewandowski, fitoi Ligën e Kampionëve, për të kompletuar kësisoji “tripletën” sezonale.
Këta lojtarë meritojnë të nderohen për gëzimin dhe “eksitimin” që kanë dhënë gjatë kësaj kohe të vështirë. Kjo është arsyeja pse “Bleacher Report Football” ka ndërmarrë një peticion online, duke i kërkuar “France Football”, në emër të tifozëve të futbollit në të gjithë botën, që ta rivlerësojë vendimin dhe ta japë çmimin më prestigjioz individual të futbollit edhe këtë vit. Në këtë mënyrë, prestigjiozja franceze do të nderonte lojtarin më me ndikim në këtë vit unik e të vështirë prej Covid-19, por jo më pak tërheqës, sa i përket futbollit. Një nismë që dërgon “ujë në mullirin” e Robert Lewandowski, si golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve dhe i Bundesligës, fitues i “tripetës” me Bayern Munich. Me siguri, nëse hapet gara për “Topin e Artë”, ai do të ishte favorit absolut për të triumfuar këtë vit.