Është e dëgjuar shprehja, “Pas pushimeve, dua një palë pushime të tjera.” Si duhet t’i rikthehemi rutinës, më hapa të vrullshëm, apo të ngadaltë? Për këtë, na ndihmon biseda me psikologen Gejsi Ndoja. Edhe pushimet kanë lodhjen e tyre, aktivitete, larje në det, ecje në mal, gatime, takime me miqtë dhe shokët.
Por kur kthehemi, nuk duhet të synojmë, t’i kthehemi rutinës për një ditë. Duhen rreth 2 javë, për të kapur ritmin e jetës sonë të përditshme. Ka njerëz, që sa zbarkojnë, duan të pastrojnë shtëpinë, të gatuajnë, të zbrazin valixhet dhe t’i vënë gjërat në vend. Por kjo nuk rekomandohet aspak.
Gradualisht, përditë duhet t’i kryejmë këto procese, pasi kështu nuk ngarkojmë edhe veten. Është në natyrën tonë si popull mesdhetar e ballkanik, që t’i vëmë gjërat në rregull, brenda ditës. Gjermanët, francezët, nuk është, se e vrasin mendjen për këto.
Punët në zyrë duhet klasifikuar. Ato urgjentet duhen kryer, por jo të grumbullosh dhe të bësh punën e dy javëve, në një ditë. Me kolegët është mirë të flisni vetëm për pushimet, si i kaluat ato, dhe jo direkt për punën.