Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi sot se vendi i tij ka gati vaksinën e koronavirusit. Ai tha se kjo vaksinë është testuar edhe te një nga dy bijat e tij. Presidenti rus tha se vajza e tij ka krijuar antitrupa dhe efektet anësore ishin thjesht temperaturë.
Putin shpalli se Rusia është i pari vend që do të regjistrojë vaksinën e koronavirusit. Ai pretendon se vaksina i ka kaluar të gjitha fazat e testimit dhe ofron dy vite imunitet kundër Covid-19. Putin tha se prodhimi në masë do të nisë në shtator, kurse vaksinimi masiv nis në tetor. Rusia pretendon se mbi 20 vende kanë prenotuar mbi 1 miliard doza.
Gazeta britanike Daily Mail shkruan megjithatë se qeveritë dhe shkencëtarët e vendeve perëndimore janë skeptike. Ata thonë se vaksina ruse nuk i ka kaluar testimet. Ekspertët theksojnë se ajo duhet të kalojë fazën e tretë, e cila zgjat disa muaj dhe ku përfshihen dhjetëra-mijëra njerëz. Kurse OBSH nuk ka dhënë miratim për këtë vaksinë.
Gara për të prodhuar vaksinën është kthyer në një betejë mes vendeve më të fuqishme në botë. Kremlini e sheh atë si një çështje të prestigjit kombëtar.