Koreja e Jugut ka urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave dhe kopshteve në zonën e Seulit, pas një rritjeje të rasteve të koronavirusit atje. Rreth 200 pjesëtarë të stafit dhe nxënës janë infektuar në Seul gjatë dy javëve të shkuara. Mësimi në distancë do të vazhdojë deri më 11 shtator tha Ministria e Arsimit. Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se vendi është në prag të një shpërthimi në shkallë kombëtare.

Të gjithë nxënësit në Seul, qytet me 25 milionë njerëz, do të zhvillojnë tani mësim online me përjashtim të atyre në vitin e fundit të gjimnazit që do t’i nënshtrohen provimeve për të hyrë në universitet, në dhjetor. Shkollat me më pak se 60 nxënës dhe shkollat speciale do të lejohen të zgjedhin nëse do të zbatojnë apo jo udhëzimet e ministrisë. Pjesa më e madhe e shkollave në Korenë e Jugut u hapën në faza nga 20 maji deri më 1 qershor, pasi rastet e koronavirusit në vend ranë.

Koreja e Jugut ka raportuar 310 vi ktima dhe 17945 raste që kur pandemia nisi. Vendi është parë më herët si një histori suksesi në përballjen me koronavirusin, për shkak të mënyrës se si e menaxhoi epideminë, por javët e fundit infeksionet atje, veçanërisht në Seul, janë shtuar shumë.