Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër të mërkurën 24 kompani kineze dhe një numër individësh, që ato thanë se ishin pjesëmarrës në ndërtimet dhe veprimet ushtarake që lidhen me ishujt e diskutueshëm në Detin e Kinës së Jugut. Njoftimi u bë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe ai i Tregtisë. Zyrtarët thanë në një deklaratë se të 24 kompanitë luajtën rol, “duke ndihmuar ushtrinë kineze për ndërtimin dhe militarizimin e ishujve artificialë në Detin e Kinës së Jugut, veprime që janë dënuar ndërkombëtarisht”.
Departamenti i Shtetit, në një deklaratë të veçantë, tha se do të vendoste kufizime vizash për individët kinezë “përgjegjës ose bashkëpunëtorë” në veprime të tilla në Detin e Kinës së Jugut. Sipas Departamentit të Shtetit, kufizimet e vizave do të vendosen edhe ndaj personave që lidhen me përdorimin e masave shtrënguese të Kinës kundër disa vendeve të Azisë Juglindore, për të penguar qasjen e tyre ndaj burimeve në det të hapur.