Plot 1129 drejtues mjetesh janë gjobitur në të gjithë vendin nga Policia Rrugore gjatë 48 orëve të fundit. 390 punonjës policie janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e sigurisë në rrugë, të ndihmuar nga 4 dronë, 6 radarë dhe 28 patrulla me policë të veshur civilë. Shoferët janë gjobitur për parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë.
Gjithashtu gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe proceduar penalisht për shkak të moshës, për drejtim mjeti pa leje drejtimi 11 adoleshentë të moshës 17-18 vjeç. Plani operacional vijon, ndërkohë Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 e në Komisariatin Dixhital çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.