Disa vende e kanë siguruar vaksinën ende pa dalë, përmes kontratave, ndërsa vendi ynë duket se po bën të njëjtën gjë. Vaksina kundër koronavirusit do të sigurohet dhe madje do të shpërndahet falas për popullatën shqiptare, kur ajo të dalë në treg. Një specialistje e shëndetit publik gjatë inaugurimit të Qendrës Shëndetësore në Kombinat bëri me dije se ende nuk ka një vaksinë gati, por shteti shqiptar është në bisedime me disa vende.
“Akoma bota nuk ka një vaskinë të sigurt. Janë 7 vaksina të cilate kanë kaluar fazën e dytë. Janë vaksina tepër premtuese. Është një iniciativë botërore, që është iniciativa e Kovaksit, që është një aleancë mes shumë vendëve dhe natyrisht nën udhëheqjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha ajo për Tv Klan.
“Natyrisht ka iniciativa të Bashkimit Europian, të cilat do të vlerësohen natyrisht dhe ne do të sjellim atë vaksinë që është efikase”. Sipas asaj që i është dhënë “Tv Klan”, injektimi i vaksinës nuk do të jetë i detyrueshëm, por ata që duan ta bëjnë do ta përfitojnë kundrejt asnjë pagesë. Për të forcuar imunitetin e popullates, ministrja Manastirliu tha se do të nisë injektimi i vaksinës së gripit sezonal për grupet e riskut që është gjithashtu falas.
“Qeveria shqiptare vijon të jetë e angazhuar për mbulimin falas të kalendarit të vaksinave duke përfshirë edhe këtë vit sikurse ka bërë edhe vitet e shkuara, shumfishimin e vaksinave të gripit”. Vaksina e gripit prej vitesh është ofruar falas në poliklinika për të moshuarit dhe personat në nevojë. Po ashtu edhe vaksina të disa sëmundjeve ngjitëse, për fëmijë.