Nga Alteo Hysi
“Dashuroni gjithçka, edhe lulet, edhe punën. Dashuria është ajo që mban botën në këmbë”. Me këto fjalë na përcjell në sokak Margalina, 80 vjeçarja e dashuruar me të bukurën që pesha e viteve nuk e pengon as të rrëzëllejë energjinë ngjitëse te njerëzit që takon, e as të punojë si të ishte dita e parë me duart e arta, dyzetë lloje glikosh, në punishten e saj modeste, banesën ku jeton.

Zanatin e glikove ia ka trashëguar edhe mbesës më të vogël, ndërsa shtëpia e tyre, monument kulture, në zemër të Mangalemit, është pagëzuar si “shtëpia e glikove” të Beratit, vendi ku gjen lloje glikosh nga më të paprovuarat, nga glikoja e domates te ajo e lules së portokallit. Të njejtin motiv, identik me atë të Margalinës, e gjejmë në Çarshovë të Përmetit, ku Sotira, 72 vjeç dhe bashkëshorti i saj, pasi i kanë dedikuar një jetë të tërë blegtorisë që ajo e quan pasuri të luajtshme, i janë përkushtuar në këtë moshë kultivimit dhe prodhimit të rrushit. Sotira i cilëson vreshtat e saj, për të cilat ka marrë mbështetje financiare nga AZHBR, pasuri të paluajtshme që i qëndron çdo ditë mbi kokë me një plan pune.

“Gjithmonë kam kërkuar të kalojmë një jetesë te bukur, vetëm me punë”, më thotë duke zbuluar me doza të forta krenarie se bukuria e jetës së saj qëndron te puna e krahut, bërë me dashuri, duke shkelur në çdo pëllëmbë toke të zonës së saj. Franci në Grabian të Lushnjes, që pas studimeve për arkitekturë, planifikoi dhe ndërtoi modelin e një fermeri të ri që punon jo pak, por plot 200 hektarë tokë të mbjella me kultura të ndryshme, është shëmbëlltyra e të riut të punës që merr në dorë fatin e vet dhe që është në gjendje te prodhojë sukses për 15 vite rresht, duke fituar vit pas viti shumë e më shumë.

Me krenari Franci flet për cilësinë e prodhimeve të tij dhe se si sipërmarrja e tij ka ndihmuar në rritjen e punësimit për banorët e zonës. “Pa bujqësinë nuk ka të ardhme”, thekson teksa i bën thirrje të rinjve që t’i kthehen këtij sektori premtues. Po aq i bindur në zgjedhjen e tij është edhe Olsi në Luz të Kavajës, që mbjell dhe shet pranë një sipërmarrjeje të zonës domaten e destinuar për eksport në Itali. “Përderisa të sjell fitime, pse të bëj një punë tjetër?”, thotë Olsi. Besi në Këmishtaj të Fierit që u ble plot 400 fermerëve bimë medicinale të cilat i përpunon dhe ua shet kompanive farmaceutike në Europë, e së fundmi edhe në SHBA, është një tjetër dëshmi e gjallë se sa larg mund të arrijë ambicia e mirë e shpirtit krijues të shqiptarëve të zakonshëm, që vezëllojnë dritë, aty ku shumëkush mallkon errësirën.

“Të bësh një projekt dhe të bëhesh përfitues nga AZHBR, është një proces që duhet ta ndjekësh vetë nga A-ja te ZH-ja. Shqiptarët mund ta ndërtojnë jetën e tyre këtu ku kanë lindur dhe Shqipëria mund të bëhet shumë mirë”, thotë ai me një këmbëngulje tipike të njeriut me këmbë në tokë, që e di se ç’kërkon nga vetja dhe nga jeta, pasi ia ka dalë që përmes aplikimeve të zgjuara, të marrë mbështetjen financiare nga qeveria për pajisje të teknologjisë moderne, për përpunimin e bimës medicinale. Në pothuajse katër muaj, sëbashku me Fridën, që dëshiron ta prekë me dorën e saj çdo investim të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, kemi udhëtuar me qindra kilometra nga veriu në jug, nga Tamara e rilindur dhe më e bukur se kurrë, në Xarrën e 800 hektarë tokave të mbjella që ngjasojnë si pikturë në telajo, ku shqiptarët e punës shfaqen si smerald i çmuar që në shkëlqimin e tij fsheh mesazhe të forta të eksperiencës njerëzore.

Bujq që e nisin me një ngastër, të kthyer në sipërmarrës që bashkojnë rreth vetes fermerë të organizuar që prodhojnë dhe eksportojnë në zemër të Europës si Fatosi në Drenovicë, emigrantë që lënë Italinë dhe Greqinë për t’i dhënë jetë tokës së tyre si Fatjoni në Zall Herr, vajza dhe djem që dijet e shkollës së lartë i përdorin për të rritur mençurisht sipërmarrjet blegtorale të familjes si Andi në Divjakë, që studioi veterinari dhe sot kujdeset për lopët, e plot të tjerë si këta, aq të mprehtë e të mençur sa shkruajnë plan-biznese me të cilat fitojnë mbështetje financiare jo vetëm nga qeveria por edhe prej programeve të Bashkimit Europian, janë realitet, janë fakt, po mbi të gjitha janë histori që brenda-shkruajnë tiparet e Shqipërisë së vërtetë, asaj të punës.

Të takuarit e njerëzve si Margalina, Sotira, Franci, Besi e qindra të tjerë, me dije praktike dhe përvojë jete, është një rrugëtim për të hapur sytë, për të rrokur shpirtin e karakterin e Shqipërisë që në të vërtetë është aq e hijshme dhe aq e bukur sa sytë plot shkëlqim të Sotirës kur mes vreshtave të qëndisur tregon se si me bujqësinë dhe blegtorinë arriti të arsimojë fëmijët. Shqipëria që ta don syri ta shohësh, ajo që zemra kërkon ta ndiejë, është ajo qe dora duhet me patjetër ta prekë, për ta kuptuar, për ta përjetuar ashtu siç është, e vërtetë, origjinale dhe frymëzuese. Shqipëria që fshihet pas shamatasë politiko-mediatike, është Shqipëria që po ta shkelësh nga afër, ta hap mëndjen e ta çliron shpirtin nga toksinat e përditshme të një jete të zhurmshme ku mallkimet, sharjet, zhgënjimet, thashethemet, mbërthejnë gabimisht energjitë njerëzore.

Është vendi i shqiptarëve që me shembullin e tyre, të asaj që janë dhe të asaj që bëjnë, ta zbusin egon kur i takon, të bëjnë ta ulësh kokën prej turpit që të sjell rrokja e vetëdijes se ç’do të thotë të flasësh më pak e të punosh më shumë, të ankohesh më pak e të veprosh më shumë. Të ndërtosh punë, edhe atëherë kur mendon se punë nuk ka. Të prodhosh atëherë kur mendon se zgjidhja është të mallkosh! Është Shqipëria që ta mbush qënien me ndienjën e mirë të respektit për suksesin e tjetrit, ajo që të zbulon se puna e ndershme, është dhe duhet të mbetet esenca e jetesës sonë të përbashkët.

Në këto fusha të punuara bukur, të mbajtura pastër e me rregull, mbizotëron një energji shumë e pastër njerëzore që shtrin perandorinë e vet mbi themelet e forta të një pune vetësakrifikuese, por që të jep as më shumë e as më pak se sa ti i jep asaj. Këtu nën dritën e diellit që duket se bekon këtë energji dhe këta njerëz, nuk ka vend për mbivendosje ngarkesash emocionale të vlerësimit që nuk ta dhanë kur duhej, të hakut të pashlyer nga padrejtësia, e mundit të shkuar dëm, të zhgënjimit nga modele që promovojnë injorancën, të gjitha përjetime që të imponojnë padrejtësisht besimin se puna e ndershme në këtë vend nuk të çon kurrkund.

Njerëzit e kësaj perandorie janë të zbrasur dhe të çliruar nga të gjitha këto hidhni të vogla, sepse ata e dinë mirë që toka nuk të fal, aq sa jep merr! Ç’të mbjellësh do të korrësh! Është një zbrasëti e shëndetshme që mbushet me dashurinë për tokën, me entuziasmin gati foshnjor për të dhënë nga vetja më shumë, si rregulli i artë për të fituar më shumë, përmes pasionit për një profesion që çon hakun te i zoti, atë të fermerit, dhe me zotësinë për të qënë i zoti i vetes. Këta shqiptarë janë fytyra e gjendjes së natyrshme, edhe pse pse të paekspozuar, të një vendi që pa energjinë e tyre krijuese, shpresë-ndërtuese, që çajnë male me shkollën e jetës mbi supe, nuk do të kish bërë përpara kurrë!

Por vetëm duke njohur secili prej nesh, fuqinë e vërtetë që fshihet brenda Shqipërisë që nuk është asesi Shqipëria e njëmijë të zezave që akumulohen tinëzisht në atmosferën e publikes sonë, do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë vend, një vend të të gjithëve, ku përkatësia ndaj Shqipërisë, fillon me ndienjën e përkatësisë ndaj njëri tjetrit. Ja pse vetëm duke i vlerësuar njerëzit për atë që janë, duke ua thënë fort se ne i shohim ata, ne i ndiejmë energjitë i tyre, vetëm nëse e prekim realitetin që ata ndërtojnë, do të mund t’i shtojmë Shqipërisë vlerat me të cilat meriton të krenohet, vlerat që lartësojnë njeriun e punës së pazëshme, i cili edhe pse pa dukje, i fshehur në guaskën e mrekullisë që krijon vetë, është modeli që meriton të falenderohet pafundësisht, nga të gjithë ne.