Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako deklaroi sot se, “vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri”.
Në një deklaratë për shtyp lidhur me situatën e zjarreve në Shqipëri, Çako tha se “shumica e vatrave janë të qëllimshme”.
Çako shtoi se nga muaji janar deri në korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri.
“Ardhja e stinës së verës u shoqërua me rritje të mëdha të temperaturave duke shtuar së tepërmi mundësinë e rënies së zjarreve në pyje, sipërfaqe me shkurre, kullota etj. Shkaqet e rënies së zjarreve natyrisht janë temperaturat e larta, por nuk ka munguar neglizhenca, pakujdesia e banorëve të zonës dhe në shumë raste ka qene zjarrvënie e qëllimshme, për të cilët Policia e Shtetit po heton. Gjej rastin ta inkurajoj për intensifikimin e punës për gjetjen dhe kapjen e autorëve të vënies së zjarreve”, tha Çako.
Ai theksoi se “sipas raportimeve të bëra bashkitë më të prekura janë: Shkodra, Fieri, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Dibra, Korça, Berati, Kukësi, Tirana, dhe Elbasani.