Bayern Munich nuk ka nevojë për Cristiano Ronaldon, sepse është i kënaqur dhe i lumtur me sulmuesin e vet polak, Robert Lewandowski, thotë shefi i kampionit gjerman dhe evropian, Karl-Heinz Rummenigge. Bayerni nuk kishte dashur ta transferonte Ronaldon në vitin 2018, sepse nuk e kishte ndier nevojën për ta pasur në skuadër portugezin kur tashmë e kishte Lewandowskin, sipas Rummenigges.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë e braktisi Real Madridin atë verë, në kërkim të një sfide të re. Pas nëntë vjetëve në Spanjë, Ronaldo vendosi të shkojë diku tjetër. Garën për të e fitoi Juventusi, duke i siguruar shërbimet e 35-vjeçarit i cili i fitoi dy tituj në Serie A me bardhezinjtë. Shumë pak klube kanë mundur ta përballonin koston financiare të afrimit të Ronaldos, dhe  gjiganti i Bundesligës ishte ndër to. Por Rummenigge thotë se Bayerni as që e ka menduar ndonjëherë transferimin e Ronaldos. “Ne e kemi pasur dhe ende e kemi Lewandowskin. Ne nuk kemi pasur nevojë për një sulmues si Ronaldo”, tha Rummenigge për Tuttosport.