Brezat e rinj në Evropë mund të punojnë edhe kur të mbushin 70 vjeç, një fakt ky që mund të bëhet realitet teksa shumë shtete evropiane në vitet e fundit po rrisin moshën e daljes në pension. Një e dhënë e tillë është bërë me dije nga një studim i realizuar nga qendra finlandeze për pensionet, e cila në bazë të hulumtimeve të kryera ka arritur në përfundimin se shumë shtete në Evropë po ndërhyjnë në sistemin e pensioneve dhe po rregullojnë moshën e daljes në pension duke u bazuar më shumë tek jetëgjatësia, sesa tek fitimet nga kontributet.

Shumë prej nesh pritet të jetojnë më gjatë e për këtë arsye kërkohet më shumë mbështetje për shtetin. Të dhëna nga Komisioni Evropian tregojnë se ekonomia e Letonisë do të regjistrojë rritjen më të madhe të “kostove të plakjes”, e cila mund të rritet me 13 për qind duke nisur nga ky vit deri në vitin 2070.

Ndërkohë, pak ditë më parë Mette Frederiksen, kryeministrja e Danimarkës, bëri me dije planet për të ulur moshën e pensionit për njerëz të caktuar që kanë punuar dhe kanë paguar taksa për të paktën 42 vite. Danimarka aktualisht ka një nga moshat më të larta të daljes në pension në Evropë 67 vjeç, që është e njëjta gjë për Italinë dhe Greqinë.

Të tre këto vende kanë adoptuar mekanizmin e jetëgjatësisë për caktimin e moshës së pensionit. Ndërsa në Poloni, gratë mund të dalin në pension nga mosha 60 vjeç dhe në Sllovaki, është 62 për burra dhe gra. Gjithnjë e më shumë njerëz tanimë janë duke punuar përtej moshës së pensionit, ose duke zgjedhur të reduktojnë orarin e punës sesa të dalin në pension plotësisht ose të punojnë me kohë të pjesshme ndërsa marrin edhe pensionin.