Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me ekipet drejtuese vendore të Partisë Socialiste në Elbasan, me fokus në planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore brenda partisë më të madhe shqiptare si dhe në vendosjen e piketave strukturore për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Balla tha se PS në zgjedhjet e 2021 do të marrë besimin e shqiptarëve për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër.

“Duke respektuar të gjitha masat e domosdoshme mbrojtëse ndaj COVID-19, ne duhet të jemi në komunikim të vazhdueshëm me komunitetet, sipërmarrjen, të rinjtë, fermerët, me njërëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm. Në shtator duhet të vijojmë me konsultimet për buxhetet vendore.

Operacioni humanitar i ndihmës për familjet në nevojë gjatë izolimit, por edhe çdo ditë më pas, ishte shprehje e diferencës së madhe të solidaritetit social, me “7×7=42”-at që përqeshnin e shajnë gjithë ditën nga televizori dhe facebook-u”, deklaroi Balla.

Sipas Ballës, dobësia e thellë e kundërshtarit nuk duhet të na vetëkënaqë, duke lënë pas dore për asnjë moment organizmin dhe përmirësimin e strukturës së partisë në çdo cep të territorit.

“Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike ku shumica e shqiptarëve besojnë përgjegjësinë qeverisëse dhe aspiratën për integrim Europian. Qasja jonë ka qenë dhe mbetet e qartë: ne duhet të vazhdojmë të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët janë aleatët tanë të vetëm”, theksoi Balla.