Çdo ditë po shënohet një numër rekord rastesh të reja me COVID-19 dhe minimumi ka pasur 2 viktima në 24 orë, por kjo nuk e ka ndalur Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) që të organizojë kampin veror të përvitshëm. Në një kohë kur grumbullimet janë të ndaluar për faktin se bëhen shkak për përhapjen e koronavirusit dhe shpesh po thuhet më zë të lartë që “duhet t’i përshtatemi një normaliteti të ri”, LSI, përtej deklaratave politike, nuk ka hequr dorë! Ajo ka vijuar traditën me kampin në jug në të cilin bëhen bashkë dhjetëra të rinj të LRI, ku të mbajturit distancë, një nga rregullat minimale që kërkohet, është e vështirë që të zbatohet. Gjatë mbrëmjes së djeshme, ka qenë ish- deputetja e LSI, Floida Kërpaçi ka mbajtur fjalën e saj, ku fokus ka pasur të rinj sipas së cilës kjo forcë politike me planin e saj do të frenojë largimin e tyre nga Shqipëria.
“Këtë vit ka një energji të jashtëzakonshme nga gjimnazistë që vijnë për herë të parë dhe ky kamp vazhdon traditën, duke dëshmuar punën në grup, bashkëpunimin, forcën e ekipit mbështetjen që ne tregojmë për njëri-tjetrin dhe në fakt këto janë vlera që ne si LRI i kemi. Vlera që sot më shumë se kurrë duhen në shoqëri. Unë e njoh gjithësecilin prej jush, i di problemet që keni, e di se sa e vështirë është që ta jetosh dhe ta ndërtosh të ardhmen në Shqipëri. Ama ne nuk mund të dorëzohemi. Ne nuk mund të themj që e ardhmja nuk na përket në Shqipëri.
Këtu më vjen një thënie e Abraham Linkoln që thotë: Nëse do të parashikosh të ardhmen, atëherë ti duhet ta ndërtosh vetë atë! Prandaj ka ardhur momenti shokë, miq, bashkëmoshatarë të mi që ne të marrim fatin në duart tona për ta ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Shumë prej jush u përballën me çmendurinë, dashakeqësinë, ligësinë e qeverisë dhe ministres me pyetjen që të gjithëve na iku truri, se çfarë u bë me Turin? Në fakt ky është një ndër problemet që në sistemin arsimor që ne si të rinj ndeshemi sot. Një sistem arsimor i dështuar, që nuk garanton cilësinë në mësimdhënie, por mbi të gjitha që nuk na lidh ne me tregun e punës.
Prandaj sot ne ndihemi të pashpresë, jo se nuk e duam Shqipërinë, vendin tonë. Ne bashkë kemi diskutuar dhe kemi ndarë ëndrrat që kemi për të jetuar në Shqipëri. Por vështirësitë janë të mëdha. Apeli im për të gjithë ju këtu sot është: le ta kthejmë këtë vështirësi në forcë, në besim, në dashuri që kemi për vendin tonë, sepse vetëm kështu ne mundet ta ndërtojmë, ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç duam ne të jetë. Shqipëria është shtëpia juaj, për Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk është një slogan për ne është një mision kombëtar”, tha Kërpaci. Duhet se të gjithë të rinjtë që janë pjesë e LRI besojnë në teorinë e kryetares së kësaj force politike, Monika Kryemadhi se “COVID-i nuk ekziston sepse kush beson në Zot do të jetojë i lumtur”…