Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë një deklaratë të re në lidhje me procesin e testimit të popullsisë për koronavirusin. E ndërsa përsërit se testimi i rasteve me Covid dhe nxjerrja e shpejtë e rezultateve është shumë e rëndësishme për të kontrolluar pandeminë, OBSH shprehet se testimi i gjerë i popullsisë jo gjithmonë është i dobishëm.
Epidemiologia Maria Van Kerkhove deklaroi se agjencia rekomandon testimin e rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre nëse është e mundshme, në të kundërt i gjithë fokusi duhet të jetë te personat me simptoma. Ndërsa kreu i programit për emergjencat, Mike Ryan vlerëson se një program i gjerë testimi për popullsinë shpenzon një sasi shumë të madhe resursesh.
Këto komente vijnë disa ditë pasi Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve deklaroi se njerëzit që janë ekspozuar ndaj Covid-19, por që janë asimptomatikë nuk kanë nevojë për testim, duke surprizuar në këtë mënyrë shumë doktorë dhe politikanë.