Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u kërkoi deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’ia zgjasin mandatin Gjykatës Speciale, apo siç njihet me emrin zyrtar, Dhomat e Specializuara në Hagë.
Këtë kërkesë presidenti e bëri përmes një video-mesazhi në profilin e tij social, drejtuar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke shpresuar që deputetët do ta mbështesin kërkesën e tij. Mandati i Gjykatës Speciale përmes një ligji të miratuar në Kuvendin e Kosovës është pesë vjet dhe ai skadon këtë vit.
“Sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte si dhe rruga e pastrimit të njollave të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë dhe veçanërisht mbi UÇK-në, nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë”, tha presidenti.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në fund të qershorit publikoi një aktakuzë ende të pakonfirmuar që e ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Akuza akoma nuk është konfirmuar nga Gjykatësi i Procedurës paraprake që ka afat deri në fillim të muajit tetor. Presidenti më herët ka deklaruar se ai do të japë dorëheqje nga posti i tij nëse konfirmohet kjo aktakuzë.
Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë, me një mandate 5-vjeçar, u themelua në vitin 2015. Ajo vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, financohet nga BE-ja dhe është e gjitha me personel ndërkombëtar.