Nga Aurel Boriçi/

Përballë “luanëve” të tastierave ndonjëherë duhet të heshtësh, ndonjëherë duhet të ulësh kokën e të pranosh llumin e komenteve dhe vrerin që mbizotëron në rastin më të parë që lajme të fabrikuar dalin në dritë. Goditje të porositura, sulme të përqendruar madje edhe luftë brenda llojit për të sabotuar revolucione dhe risi që në shtetin shqiptar nuk ndodhin çdo ditë. Nëse një budalla hedh një gur në lumë, është faji i të tjerëve që e ndjekin, dhe jo i budallait në fjalë. Por kur gurët bëhen shumë dhe nga e njëjta dorë, duhet të kujtosh se kush i hedh.

Së fundmi shpërtheu një furtunë e pamerituar ndaj Blendi Gonxhes, “fajtor’ që përdor hapësirën e tij sociale jo vetëm për të kujtuar se çfarë po ndryshonpër mirë çdo ditë në zyrat që po drejton, por edhe kur me komente njerëzore të gabuara apo jo këtë nuk e vendos dot askush, herë i qan hallet njerëzve për padrejtësitë që vuajnë, e herë qan për vete si “Interist” i mësuar të vuajë për skuadrën e tij të futbollit. Blendi e pa veten si të kallëzuar për për shpërdorim detyre, nga “3 Muskëtierë” të Nismës Thurje, një organizatë që si për ironi të fatit është themeluar nga ata që i kanë bërë “gjëmën” shtetit me gjoba dhe shantazhe, kur vetë drejtonin Shtetin me Burime Natyrore.

“Gonxhen” duan ta këpusin pikërisht ai kur po lulëzon më shumë se kurrë, kur ka thjeshtuar në maksimum proçedura, për njëmijë e një probleme në DPSHTRR. E drejtë. Emri është i lodhshëm por më e lodhshme ishte koha kur duhej të trokisje për një patentë, për një leje, për një kontroll fizik apo për një targë që e meritoje por nuk e merrje pa paguar haraçin, edhe kur këto zyra Rilindën. Matematika nuk është një opinion, dhe nëse dikush ka pak dëshirë të investigojë, do të mësojë se një kompani e themeluar në 2009, nuk ka asnjë peshë specifike nga fondet publike. Në 10 vite aktivitet, firma e familjes, ajo e ngritur me mund e djersë, dhe jo si ajo e “lindur” mes rrënojave të Gërdecit për rritje Boronicash, ka faturuar për ente publike vetëm 1.57% të totalit të xhiros tregtare! Kronologjikisht: 2010 – 4.1%, 2011 – 0.64%, 2012 – 1.4%, 2013 – 0.4%, 2014 – 1.5%, 2015 – 2.7%, 2016 – 1.4%, 2017 – 2.1%, 2018 – 1.2% dhe 2019 – 1.67%! Doni më për Belulin.

Shpikën së fundmi një tjetër perlë…. se Drejtoria e tij blente maska me 13 Euro copa. E vërteta e letrave, dhe jo ajo e kazanit është që 300 mijë maska janë blerë me VETËM 55 lekë copa, e madje edhe më lirë nëse ofertuesi është kështu. në një Drejtori që shumëkush e quante vetëm ajo e Patentave, e që ishte hermetike, tani mund ta akuzojnë për mbingarkesë informacioni. Por kurrë mungesë të tij. Blendin e akuzojnë ata që kodin moral e kanë në nivelin e llumit, “Thurjet” që masakruan Shtetin, e akuzojnë nga ata në PD, që fillimisht duhet të gjejnë brenda familjes ata që i shkaktuan dëme buxhetit deri 5 milionë Euro, e që kapërcyen burgun me proçedura në Apel. Të qash apo të qeshësh… Sot një qytetar i thjeshtë dëshiron të dijë sesa shpejt e merr lejen, sa shpejt e merr patentën ndërkombëtare, pse në pak kohë një emigrant apo shtetas i thjeshtë nuk kthehet çdo vit për patentë, por kohën dhe luksin e saj e ka tashmë 3 vjet. Kush e ka provuar digitalizimin, lehtësinë do duhet ta pranojë në heshtje.
Por do të jetë vështirë ta pranojnë ata që ishin mësuar me rryshfet për një targë të veçantë, për një “001, apo një “007” që tani do duhet ta paguajnë rregullisht. Me faturë  online  pa mik, pa shok, dhe pa lekë nën dorë. Lulzim Basha duhet ta dijë që për Benzin e tij fringo, 3 NJISHAT (AA 111 EN) i ka paguar Shtetit 40.000 Lekë, dhe nuk e ka marrë me “një kafe dhe llafe” siç mori partinë. Ujitini pra Gonxhet sa të mos jetë vonë…ujitini para se t’i mbysë llumi.