Në Vlorë ka nisur sot puna për rehabilitimin dhe asfaltimin e segmentit rrugor që të çon drejt plazhit të Zvërnecit. Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri ndau sot foto nga punimet në këtë aks, gjendja e së cilit sipas tij, “ishte një shqetësim i madh për bizneset e zonës prej shumë vitesh”.

“Angazhimi i marrë për të sensibilizuar ndërhyrjen sa më të shpejtë dhe tashmë brenda një jave, gropat do t’i lënë vendin asfaltit, duke i dhënë fund ankthit të mijëra qytetarëve të Vlorës e Fierit që e frekuentojnë zonën për plazh”, tha ai. Gjiknuri tha se “kjo është një shenjë e mirë edhe për fillimin e një faze të re transformuese në bashkinë e Vlorës sa i takon punëve publike dhe ndërveprimit me qytetarët për hallet e shqetësimet e tyre të përditshme”.