Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit Biegun kërkon nga qeveria e Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryetarit të OSBE-së për të angazhuar të gjitha palët e interesuara. Deklarata erdhi pas takimit të mbrëmjes së sotme në Vjenë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Stephen Biegun, zëvendëssekretar i Shtetit të SHBA-së.

“Falënderojmë kryetarin për iniciativën e tij dhe i kërkojmë qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e tij për të angazhuar të gjitha palët e interesuara. Siç deklaroi Kryetari, dialogu i hapur dhe konstruktiv është i nevojshëm për të gjetur një rrugëdalje në Bjellorusi”, u shpreh Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit Biegun.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vjenë ku nesër, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, do t’i drejtohet takimit special të Këshillit të Përhershëm mbi situatën në Bjellorusi. Kryetari i Përgjithshëm i OSBE-së, Kryeministri dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama, do i drejtohet një takimi të veçantë të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së për situatën në Bjellorusi, në orën 10: 00, në Hofburg, Vjenë.

Kryetari Rama dhe kryetarja e radhës, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, propozuan një vizitë në Qeverinë e Bjellorusisë për të mbështetur një dialog të hapur dhe konstruktiv në vend.