Ciro Immobile ka nënshkruar kontratë të re me Lazion, e cila do ta mbajë atë në kryeqytetin italian deri në verën e vitit 2025. Lazio njoftoi se përfaqësuesi i Italisë ka vendosur t’ia përkushtojë të ardhmen asaj, duke nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare. “Lajmi i sotëm është se Ciro Immobile i është përkushtuar Lazios për edhe pesë vjet, deri më 2025”, thuhet në një njoftim të Lazios.
Immobile e fitoi Këpucën e Artë në Evropë sezonin e kaluar, duke i mposhtur në garë Robert Lewandowskin e Bayern Munich dhe Cristiano Ronaldon e Juventusit. Ai e shënoi 36 gola në 37 ndeshje në Serie A sezonin e fundit. Në total, Immobile i ka shënuar 125 gola në 178 ndeshje për Lazios, të cilës iu bashkua më 2016. Ai do t’i fitojë 4 milionë euro në vit në Lazio.