Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “prej disa vitesh ne kemi ulur 30% çmimin e barnave dhe në total janë mbi 8 milionë euro të kursyera nga xhepi i familjeve në vit”. Kryeministri Rama vizitoi sot Qendrën e re të Kontrollit të Barnave, ku theksoi se çmimet e barnave deri dje ishin pa kontroll, në një rrumpallë të vërtetë që s’merrej vesh. “Çfarë pije që të shërbente të së murte më keq. Paguanin 30% më shumë se në vendet e origjinës”, tha Rama. Kryeministri theksoi po ashtu se “flasim për heqjen 10% të taksës ku deri dje paguhej 10% plus çdo kokërr aspirine”. “Sot është hequr prej kohësh. Po ashtu është rritur me ¼ financimi për rimbursim. Dmth, në vitin 2014 rimbursoheshin 191 barna më pak se sot. Është rritur numri i qytetarëve që përfitojnë nga rimbursimi, pa dyshim dhe i diagnozave. Pa folur për fisha falas deri në 25 vjeç për të prekurit nga diabeti, herceptina falas për të gjitha gratë që kurohen nga tu mori i gjirit dhe për herë të parë Shqipëria është përfshirë në Farmakopenë Europiane”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk mbaron këtu, pasi ne po punojmë për zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme dhe rritjen e pagave të të gjitha bluzave të bardha, mjekëve e infermierëve dhe laborantëve që sot punojnë në kushte si në çdo vend europian”. “Në hyrje këtu ka një muze të vogël të aparaturave që nga viti 1962 që deri para pak kohe ishin në punë. Unë nuk kisha lindur akoma. Kinezët kanë një fjalë të bukur: Është e lehtë të shkruash 1 mijë receta, por të kurosh është shumë e vështirë. Për receta nuk e kemi problem se këtu çdo njeri është një farmacist që pretendon se me recetën e vetë mund të kuroj ekonominë, papunësinë, korrupsionin e të gjitha. Janë farmacistë ditën dhe trajner futbolli ditën e diel. Por kurimi është një proces që kërkon jo vetëm recetat e duhura. Kurimi po funksionon. Ja ku është QSUT që deri para 7 vitesh ishte një vend që gjeje mjekët të përhumbur në tym dhe vetëm mjekët dhe dija e tyre mbanin në këmbë sistemin”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “para 7 viteve skenat me njerëz me recetat në dorë që nuk kishin mundësi të shërbeheshin në spital apo vinin me çarçaf me vete dhe me mjekët që kishin zemrën dhe bënin luftën në kushtet më primitive të mundshme në harresë dhe braktisje”. “Ishte një nga pazaret më të mëdha të Tiranës në spital, me zarzavate e lodra për fëmijë. Pazar ishte edhe sistemi i ilaçeve njësoj me kutia, arka e persona ‘Kap ca të kapësh’. Sot është ndryshe. Sigurisht që ka akoma shumë por është një kurë që kërkon durim dhe angazhim dhe ne i kemi të dyja dhe do t’i vazhdojmë. I uroj çdo të mirë gjithë stafit këtu me keqardhje që kanë vuajtur gjatë, por më në fund vitet e mbetura deri në moshën e pensionit, pasi specializimet vazhdojnë, do t’i kenë vite pune profesionale, ku do hyjnë këtu si profesionitë dhe do largohen me kënaqësinë që kanë bërë punën e tyre me kushte profesionale”, tha Rama.