Eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare, vijojnë të ruajnë trendin e rritjes pozitive, ndonëse brenda grupit dominojnë lloje të ndryshme produktesh në varësi të sezonit të prodhimit që kanë apo edhe të mënyrës së kultivimit në fushë apo serra. Lindita Kondi, përgjegjëse në qendrën e eksporteve në Vlorë, i tha të martën ATSH-së, se rritja e prodhimit bujqësor vendas këtë vit, veçanërisht në sezonin e pranverë- verë është reflektuar në treguesit të rritjes së ndjeshme të eksporteve bujqësore por edhe në furnizimin e bollshëm të tregjeve të vendit me këto produkte, krahasuar me vitin e kaluar.

Gjatë javës së fundit të muajit gusht (21-28 gusht ) nga qendrat e grumbullimit bujqësor të Lushnjës dhe Fierit, janë nisur për eksport 36 kamionë trajlera. Ndër produktet, kryeson trangulli turshi me rreth 117 tonë eksporte, speci me 85 tonë dhe domatja me 60 tonë. “Eksportet në këtë periudhë të fund gushtit, shënojnë rritje krahasuar me një vit më parë dhe janë në rënie kundrejt një muaji më parë, për arsye se tani ka mbaruar prodhimi i serrave. Ndërkohë që eksportohen kryesisht shalqi dhe perime nga dora e dytë e mbjelljes – thotë Kondi. Sipas saj, në krahasim me vitin e kaluar shënohet rritje e eksporteve bujqësore nga qendrat e tregtimit Lushnjë- Fier, ku bie në sy eksportet në sasi më të madhe se herët e tjera të trangullit për turshi në Zvicër, Austri e së fundi në Itali sipas një kontrate të lidhur sivjet në rrethin e Fierit.