Qeveria ka në dispozicion 590 milionë lekë për të zbatuar programet e nxitjes së punësimit për vititn 2020, ndërsa parashikon që nga këto programe të përfitojnë gati 6 mijë individë. Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen deklaroi sot se për të mbështetur programet e punësimit qeveria ka alokuar edhe 200 milionë lekë përmes Aktit të fundit Normativ për rishikimin e buxhetit në muajin korrik, duke e çuar në 590 milionë fondin total.
“Nga këto programe parashikojmë që të mund të përfitojnë 5 mijë deri në 6 mijë individë”, deklaroi Sorensen. Gjatë një aktiviteti për prezantimin e programeve të nxitjes së punësimit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, zv.ministrja Sorensen tha se krahas hartimit të programeve kemi lehtësuar edhe procedurat për ta bërë më të lehtë aplikimin për të përfituar nga këto programe. “Edhe procedurat në vetvete kanë pësuar ndryshime rrënjësore sikurse elementi i transparencës së alokimit të këtyre fondeve drejt biznesit”, tha Sorensen.