Shërbimi Hidrografik i Forcave tona Detare kremton sot 63-vjetorin e krijimit. Autoriteti Portual Durrës dhe Forca e Sigurisë Portuale bashkëpunon me këtë shërbim që nga fillimi i veprimtarisë portuale. Gjatë gjithë periudhës, prej më shumë se 6 dekadash, efektivi i Shërbimit Hidrografik të FD, i mbështetur nga personeli portual, kanë punuar së bashku për instalimin dhe mirëmbajtjen e bovave të kanalit hyrës, si dhe të fenerëve të portit.

Ky bashkëpunim vijon aktualisht për matjen e thellësive batimetrike pranë terminaleve dhe në basenin portual. Shërbimi Hidrografik u themelua më 25 shtator 1957, si pjesë e domosdoshme e Forcës Detare për sigurinë hidro-detare në ujërat territoriale. Shërbimi Hidrografik ka realizuar një sërë detyrash të rëndësishme ushtarake dhe ekonomike hidrografike si publikimi i hartave ushtarake dhe civile në bashkëpunim me Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, siguria hidrolundrimore, etj

Misioni i këtij shërbimi është të ofrojë shërbime dhe produkte lundrimore, hidrografike dhe oqeanografike, të monitorojë dhe mirëmbajë sigurinë teknike nëpërmjet dritave lundruese brenda ujërave territoriale shqiptare në pajtim me standardet e miratuara ndërkombëtarisht” Shërbimi Hidrografik i Forcave tona Detare jep informacion të nevojshëm hidrografik për bregdetin shqiptar.