65 501 individë e kanë përfituar deri tani “pagën e l uftës” të dhënë nga qeveria si ndihmë financiare për një periudhë 3-mujore në masën 26 mijë lekë në muaj për të gjithë ata që u prekën në punën e tyre si rezultat i masave në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për shkak të një ecurie të ngadaltë të korrigjimit të të dhënave të deklaruara gabim nga bizneset për punonjësit e tyre procesi është ende i hapur deri më 25 shtator.

Paketa e parë mbështetëse kishte si objektin kryesor lehtësimin e humbjeve të të ardhurave për të gjithë ata që u ndikuan nga kriza e shkaktuar nga COVID-19 dhe në të njëjtën kohë synonte që shumica e punëtorëve të ruanin vendin e tyre të punës. Nga kjo paketë përfituan bizneset me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, të cilat u mbyllën si rezultat i kufizimeve që u vendosën mbi bizneset nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo masë përfshin edhe të vetëpunësuarit dhe anëtarët e papaguar të familjes të cilët nuk do të mund të përfitonin ndihmën e papunësisë.