Në regjistrin e fundvitit 2019 në Shqipëri figurojnë të regjistruar të punësuar 698 mijë persona.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një dalje për mediet me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

“Në vitin 2012, ne gjetëm 450 mijë të punësuar në regjistrat e shtetit. Sot në regjistrin e fundvitit 2019 kishim 698 mijë të punësuar, pra 55% më shumë të punësuar, të cilat janë të regjistruar, paguajnë kontributet dhe marrin mbrapsht kontribute”,- theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “patjetër që periudha e pandemisë ka qenë një periudhë tejet e jashtëzakonshme dhe patjetër në radhë të parë mund të rrafshonte biznesin e vogël, por sot jemi në kushtet kur me shumë frymëmarrje të lehtësuar mund të tregojmë përsëri shifrat dhe të shohim që nuk kemi lënë askënd mbrapa asnjë nga ata të cilët ishin punonjës të regjistruar në biznesin e vogël”.