Agjencitë e udhëtimeve, baret, restorantet dhe hotelet ishin sektorët që morën goditjen më të rëndë për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë së COVID-19. Puna në këto aktivitete u ndal për më shumë se dy muaj si amsë për parandalimin e infeksionit të COVID-19 që ka prekur të gjithë botën. INSTAT publikoi sot treguesit tremujorë mbi shërbimet në aktivitetet ekonomike të tregtisë me shumicë dhe pakicë, riparimit të automjeteve dhe motorçikletave, transportit, magazinimit dhe postës, hoteleve bar-restoranteve, informacion dhe komunikacion, aktivitete të arkitekturës dhe inxhinierike dhe agjenci udhëtimi.
Referuar të dhënave në aktivitetin agjenci udhëtimi, në tremujorin e dytë të 2020-s, si shitjet edhe numri i të punësuarve dhe fondi i pagave shënoi rënie. “Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 85,6 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019”, thuhet në raportin e INSTAT. Në bare indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 55,2%, numri i të punësuarve shënoi rënie 31,8 %, ndërsa fondi i pagave shënoi rënie 30,7%. E tillë paraqitet situata edhe në aktivitetin e hotelerisë. Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 63%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, ndërsa ulje me mbi 20% shënoi si numri i punëtorëve ashtu edhe fondi i pagave.
Nga ana tjetër për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve për të përballuar vështirësitë e krijuara prej pandemisë së COVID-19, u miratuan dy paketa financiare, nga të cilat përfituan mbi 90 mijë biznese dhe gati 250 mijë individë. Paketa e parë mbështetëse kishte si objektin kryesor lehtësimin e humbjeve të të ardhurave për të gjithë ata që u ndikuan nga kriza e shkaktuar nga COVID-19 dhe në të njëjtën kohë synonte që shumica e punëtorëve të ruanin vendin e tyre të punës.
Të papunët u mbështetën përmes rritjes së pagesës së papunësisë dhe pjesa tjetër përmes programit të ndihmës financiare. Paketa e dytë zgjeroi mbështetjen për të gjithë punëtorët e subjekteve që u prekën drejtpërdrejt nga mbyllja e biznesit, ata që humbën vendin e punës, punonjësit në sektorin e turizmit dhe të gjithë punonjësit në biznese me të ardhura vjetore më pak se 14 milionë lekë, të cilët përballeshin me rënie të aktivitetit ekonomik, për shkak të krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Për të mbështetur subjektet me likuiditet, qeveria shqiptare miratoi garancinë e parë në vlerën 11 miliardë lekë, e cila do të ndahej nga bankat për subjektet që kanë vështirësi në pagimin e pagave. Kostot e normës së interesit mbulohen tërësisht nga qeveria dhe nuk kërkohet asnjë kolateral nga kompanitë. Kredia do të mbulojë pagat e punonjësve për një periudhë 3-mujore duke mos tejkaluar pagën mujore prej 150 mijë lekësh për punonjës. Të gjithë sektorët e ekonomisë janë të përfshirë me përjashtim të telekomunikacionit, shitjes me shumicë të produkteve ushqimore dhe farmaceutikës.
Qeveria shqiptare lëshoi edhe një garanci të dytë në shumën 15 miliardë lekë, duke siguruar kredi për kapitalin qarkullues dhe investime për të gjithë sektorët e ekonomisë. Qeveria garanton 60% të principalit dhe vlera maksimale e kredisë për një kompani nuk mund të kalojë 300 milionë lekë. Periudha e “faljes”, pra periudha kur kompania nuk paguan interes, është 6 muaj dhe kredia duhet të shlyhet brenda një periudhe 5-vjeçare.
Pikërisht për të amortizuar efektet e COVID-19 në mbylljen e biznesit e në papunësi, krahas paketave të ndihmës financiare u prezantua edhe paketa me lehtësi fiskale që parashikon përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, si dhe ngritjen e pragut për regjistrimin në skemën e TVSH-së në 10 milionë lekë.