Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka njoftuar se do të rinisë punën normalisht ditën e nesërme. Sot në mëngjes ambasada njoftoi se do të pezullonte shërbimin për shkak se një punonjës kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.
“Në vijim të komunikimit tonë lidhur me situatën e krijuar si pasojë e konstatimit të një rasti pozitiv me COVID-19 në personelin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi, që solli pezullimin e punës dhe dezinfektimin e ambienteve në Ambasadë, ju informojmë se në rezultatet e para të testeve në një pjesë të madhe të personelit të Zyrës Konsullore nuk figuron asnjë rast pozitiv. Në këtë kontekst puna e Zyrës Konsullore do të rifillojë ditën e nesërme normalisht. Deri në mbrëmjen e ditës së sotme do të dalin rezultatet e të gjithë personelit të Ambasadës’’, informoi Ambasada shqiptare në Greqi.
“Inkurajojmë qytetarët tanë që gjatë paraqitjes së tyre në Ambasadë të mos anashkalojnë për asnjë moment protokollin për parandalimin e përhapjes së COVID-19, sidomos maskat dhe distancat e përcaktuara nga OBSH”, shprehet Ambasada. “Reagimi i menjëhershëm ndaj situatës së krijuar, përtej pakënaqësisë së krijuar ndaj qytetarëve tanë që sot duhet të merrnin shërbimin në Ambasadë, është në thelb një provë e respektit ndaj jetës së qytetarëve tanë, personelit të Ambasadës si dhe komunitetit ku jetojmë’’, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.