Qeveria Shqiptare ka vënë në zbatim Programet e Nxitjes së Punësimit për bizneset dhe qytetarët. Ministrja e Finanacave dhe Ekonomisë Anila Denaj fton të gjithë të papunët e regjistruar dhe aktivë, për jo më pak se tre muaj në zyrën e punës, të përfshihen për një periudhë 5- vjeçare në një program punësimi ku përfshihet punësimi direkt, formimi përmes punës dhe intershipi. “Bizneset kanë të drejtë të aplikojnë në më shumë se një program. Aplikoni menjëherë në e-albania.al. Për më shumë ju ftojmë të drejtoheni pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive”- shprehet Denaj. Qeveria shqiptare ka miratuar tri skema të cilat synojnë të nxisin punësimin në vend, në kushtet e vështirësisë që krijoi situata e pandemisë. Programi zbatohet në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit të papunë për t’u integruar në tregun e punës dhe me planin individual për punësimin e tij.
Programi është 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi. Për programin e punësimit katërmujor, qeveria subvencionon financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës. Po ashtu, kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
Për programin e punësimit tetëmujor, qeveria subvencionon financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës. Gjithashtu subvencionon kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.
Për programin e punësimit 12 (dymbëdhjetë) mujor, qeveria subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.