Arsimi profesional është rruga e sigurt drejt punësimit real, ndaj dhe qeveria shqiptare po mbështet me politika të veçanta kualifikimin e fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Kryeministri Edi Rama solli sot shembujt e 3 të rinjve që kanë ndjekur rrugën e arsimit profesional si mënyra më e mirë për t’u integruar në tregun e punës.
“Mirëmëngjes dhe me energjinë e Desaidës, Edmondit, Teutës, tre nga mijëra nxënësit e Arsimit dhe Formimit Profesional të rilindur në Shqipëri, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Desaida Pjetri ndjek degën Hoteleri-Turizëm në shkollën “Kolin Gjoka” Lezhë. “Përvojën që unë po marr në këtë moshë sigurisht që e shikoj si oportunitet. Janë mësime të vlefshme të cilat po më formojnë mua si person. Dua që të përçohet dëshira ime që kam për të gatuar tek shija dhe klienti të dalë i kënaqur. Ne mundemi të bëjmë atë çfarë duam dhe ne do ja dalim”, tha ajo.
Ndërsa Edmond Tabaku është nxënës në shkollën profesionale “Gjergji Canko” Tiranë. Ai studion në degën Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. “Unë zakonisht merrem me lojërat në mobile android jam në praktika për web development”, tha ai.
Edhe Teuta Deti, nxënëse në degën Ekonomi Biznes, shkolla “Hysen Çela” Durrës u shpreh optimiste për mundësitë që ofron kjo shkollë për përshtatjen me tregun e punës.