Jorge Messi, babai dhe menaxheri i Lionel Messit, ia ka hapur derën gjigantit anglez Manchester City për ta afruar të birin e tij, duke thënë se do të jetë e vështirë për gjashtë herë fituesin e Topit të Artë të qëndrojë në Barcelonë. Lionel Messi, i cili e dorëzoi një shkresë largimi në fillim të javës së kaluar dhe nuk u paraqit në stërvitjet e para të Barçës për sezonin e ri këtë javë nën urdhrat e trajnerit të ri Ronald Koman, nuk e vlerëson veten lojtar të Barcelonës më.
Ai dëshiron të largohet falas, duke u thirrur në një klauzolë në marrëveshjen e vet me klubin e cila ia mundëson largimin pa asnjë qindarkë. Barcelona, në anën tjetër, ende e vlerëson Messin kapiten të skuadrës dhe këmbëngul se ai mund të largohet vetëm nëse paguhet klauzola e lirimit në vlerë 700 milionë euro. Për këtë klubi katalonas e ka mbështetjet e ligës elitare spanjolle, La Liga, po ashtu.
Messi dëshiron të largohet në mënyrë miqësore, prandaj babai i tij erdhi sot në Barcelonë për të diskutuar me drejtuesit e klubit.
62-vjeçari tha për mediat spanjolle në lidhje me situatën e Messit: “E ardhmja në Barcelonë? E vështirë.” “Do të jetë e vështirë për të që të qëndrojë këtu”, shtoi Jorge. I pyetur për interesimin e Man City për te, Jorge shtoi: “Nuk kam folur me Pep (Guardiolën). Nuk ka asgjë me City”.