Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ishte sot në Gramsh, në takimin me Asamblenë Socialiste. Gjatë fjalën që mbajti para socialistëve të Gramshit, Balla tha se opozita Meta-Basha që kërkon alibi për humbjen e radhës, dhe shan e shpif nga mëngjezi në darkë. Por sipas Ballës përgjigja e PS për këtë opozitë do të jetë puna dhe përqëndrimi tek nevojat e njerëzve.

“Në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 ne kemi vetëm aleancën me qytetarët, ndërsa përballë kemi një koalicion politikanësh dështakë që politikën e duan si mjet për interesat e tyre, jo për interesat e Shqipërisë. Ne jemi të vendosur ta kemi vëmendjen vetëm tek njerëzit dhe tek përmirësimi i shërbimeve publike ndaj tyre. Duhet përkushtim për tu marrë me hallet dhe problemet e njerëzve dhe vëmëndja jonë janë vetëm ata.

E sic ka rifilluar po njëlloj kjo vjeshtë politike me opozitën Meta-Basha që kërkon alibi për humbjen e radhës, shan e shpif nga mëngjezi në darkë, përgjigja jonë do të jetë puna dhe përqëndrimi tek nevojat e njerëzve. Tani mesa duket, vetë kasandrat e opozitës kanë nisur një betejë të re, atë të përdorimit të halleve për politikë, si dhe për përhapjen e panikut ekonomik dhe social duke përdorur si lëndë të parë atë që njohin më mirë baltën dhe mashtrimin. Njerëzit nuk kanë asnjë interes të dëgjojnë më këtë lloj politike, njerëzit presin vetëm nga ne zgjidhjen e halleve të tyre.”- tha Balla në Gramsh.