Çështja Messi është në orët vendimtare të saj. Babai i futbollistit Jorge Messi tashmë ka mbërritur në Barcelonë për t’u takuar me drejtuesit e Barcelonës për gjetjen e një akordi për largimin e futbollistit në një mënyrë sa më miqësore.

Por problemi është se asnjë prej palëve nuk bën lëshime në qëndrimin e tyre, madje vetë Jorge Messi në momentin që mbërriti në aeroportin e Barcelonës tha se e sheh të vështirë qëndrimin e Lionel Messit te Barcelona dhe se nuk ka folur me Guardiolën. Barcelona këmbëngul në qëndrimin e saj për t’i ofruar rinovimin e kontratës futbollistit, por nëse do të duhet të lejojë largimin e tij, do të kërkojë të paguhet klauzola prej 700 milionë Eurosh. në krahun tjetër Messi dëshiron një akord me klubin katalanas për t’u larguar falas sipas klauzolës së përfshirë në kontratën që ai nënshkroi në 2017. por sipas klauzolës, Messi duhet të lajmëronte brenda 10 qershorit dëshirën për të ushtruar këtë klauzolë, datë kjo që kaloi.

Por avokatët e Messit e interpretojnë atë me faktin se 10 qershori është dita kur kanë kaluar 10 ditë nga mbyllja e një sezoni normal dhe duke parë situatën e krijuar ajo qëndron në fuqi deri në mbylljen e sezonit dhe Barcelona e mbylli atë në 14 gusht. Në 25 gusht Messi dërgoi në zyrat e klubit burofaxin ku kërkoi largimin e tij. Është krijuar një situatë ku nëse nuk arrihet një akord, atëherë palët do t’i drejtohen gjykatës. Por jo vetëm kaq, Barcelona bën edhe një veprim tjetër që konfirmon se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga argjentinasi teksa dha një mesazh të qartë tifozëve në rrjetet sociale. Klubi katalanas bëri të ditur se ka nxjerrë në shitje fanelat e sezonit të ri dhe në foton e publikuar në Twitter në plan të parë është pikërisht imazhi i Lionel Messit.