Pas dakordësisë për një paketë të madhe rimëkëmbjeje në korrik për stimulimin e ekonomive europiane të goditura nga COVID-19, vendet e Bashkimit Europian tani duhet të gjejnë mënyra të reja për të paguar për të, tha sot ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz. “Të gjithë e dinë se ekziston një nevojë e fortë për të përdorur burimet tona”, tha ai para takimit të ministrave të Financave të eurozonës, në Berlin.

Të 27-ta vendet e BE-së nënshkruan kolektivisht një paketë të madhe buxheti dhe fondi rimëkëmbjeje me vlerë 1,8 trilionë euro (2,1 trilionë dollarë) në fillim të kësaj vere, por një numër pyetjesh të rëndësishme mbeten ende të pazgjidhura. Marrëveshja angazhoi shtetet për një taksë të re plastike në të gjithë BE-në dhe ngriti mundësinë e një takse të transaksioneve financiare, një taksë për bizneset dixhitale dhe një taksë për importet shumë ndotëse në Bllok.

Komisioni Europian duhet të gjenerojë propozime specifike në muajt e ardhshëm, megjithëse vendet anëtare janë thellësisht të ndara për këtë çështje. Sipas ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire, nëse përpjekjet e përbashkëta ndërkombëtare në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim nuk japin fryte deri në fund të vitit, Europa duhet të jetë e përgatitur ta përballojë e vetme.