Gigi Hadid dhe Zayn Malik janë bërë prindër për herë të parë! Ka qenë modelja e njohur ajo e cila ka dhënë lajmin e bukur për ardhjen në jetë të vajzës së saj të vogël, për të cilën është shumë e emocionuar. “Vajza jonë u bashkua me ne këtë fundjavë dhe ajo tashmë ka ndryshuar botën tonë. Kam rënë në dashuri”, shkruan Gigi në Instagram.
Modelja ka publikuar një foto të dorës së vogël të vogëlushes së saj, që i shtrëngon gishtin. Gigi nuk ka zbuluar portretin e vajzës, për të cilin janë kuriozë miliona fansat e saj dhe të partnerit Zayn. Ky i fundit ka publikuar gjithashtu një dedikim për të bijën dhe një foto ku shfaq dorën e tij duke mbajtur dorën e vogël të vajzës.
“Vajza jonë është këtu, e shëndetshme dhe e bukur. Të provosh të shprehësh me fjalë se si po ndihem tani do të ishte një detyrë e pamundur. Dashuria që ndiej për këtë njeri të vogël është përtej kuptimit tim. Mirënjohës që e njoh dhe krenar për ta quajtur timen dhe mirënjohës për jetën që do të kemi së bashku”, shprehet këngëtari.
Çifti ende nuk e ka zbuluar emrin e vogëlushes dhe mezi po presim të mësojmë sesi do ta quajnë!