Britania e Madhe mund të jetë vendi i radhës që vendos për së dyti karantinën kombëtare. Sekretari për Shëndetësinë, Mat Hancock nuk përjashtoi mundësinë që kjo masë të nisë që nga java e ardhshme, pasi spitalet po kapërcejnë kapacitetet për trajtimin e të infektuarve.

“Fatkeqësisht kemi parë që numri i të shtruarve me koronavirus po dyfishohet çdo 8 ditë, ndaj na duhet të marrim masa”.

Gjatë 8 ditëve të fundit, në Britaninë e Madhe shënohen mbi 3 mijë të infektuar ditorë, çka tregon tendencë të shtimit të rasteve pas një rënieje të ndjeshme si pasojë e karantinës së periudhës Mars – Maj.

E gjithë Europa po përjeton shtim të rasteve ditore, ku kryesojnë Spanja e Franca që këto ditë shënuan edhe rekorde me mbi 10 mijë infektime ditore.

Nëse rikthen karantinën kombëtare, Britania e Madhe bëhet vendi i dytë në botë që ndërmerr një masë të tillë pas Izraelit ku nisja këtë të premte e këtij rregulli që u njoftua që të hënën u prit me protesta në Tel Aviv dhe qytete të tjera.