Britania e Madhe ka arritur në një pikë kthese të rrezikshme, është shprehur kryeministri britanik Boris Johnson teksa njoftoi se masat e reja kundër koronavirusit për Anglinë, të cilat mund të zgjasin deri në gjashtë muaj, nëse nuk ka progres. “Më vjen keq ta them por si në Spanjë, Francë por edhe në shumë vende të tjera kemi mbërritur në një pikë kthese të rrezikshme”, -është shprehur Johnson. Maskat do të jenë të detyrueshme për punonjësit e dyqaneve dhe dasmat do të jenë të kufizuara deri në 15 të ftuar, ndërsa ata që shkelin këto rregulla do të gjobiten deri në 200 paund. Kryeministri britanik gjithashtu paralajmëroi masa më të forta nëse do të jetë e nevojshme.

Hapa të ngjashme do të ndërmerren në të gjithë Britaninë është shprehur Johnson pas një takimi me liderët e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut. Johnson tha se ai do ti mundësonte policisë dhe autoriteteve lokale fonde shtesë për të zbatuar rregullat dhe përmendi mundësinë për të marrë mbështetje ushtarake. Kryeministri britanik konfirmoi gjithashtu se ata që kanë mundësi, të punojnë nga shtëpia. Johnson tha se kjo nuk është rikthim në izolim të plotë si në muajin mars, pasi bizneset shkollat dhe universitetet do të jenë të hapura.

Megjithatë, raportohet se shumë nxënës janë dërguar në shtëpi për shkak të rritjes së ndjeshme të rasteve. Në dy javët e fundit në Britani është rritur numri i të shtruarve në spitale dhe COVID 19 mund të përhapet më shpejt në dimër tha Johnson dukë shtuar se ky është momenti që duhet të veprojmë. Sakaq, më parë u raportua për mundësinë e arritjes së 50 mijë rasteve në ditë në mes të tetorit. BBC thotë se nëse kjo ndodh do duhet të marren masa më strikte, por jo domosdoshmërish izolim i plotë.