Ilir Meta ka nisur një fushatë të fortë me dy anë; njëra me sulm të egër ndaj Edi Ramës dhe tjetri, një vrull eskursionesh, takimesh dhe dekoratash në vende të ndryshme të vendit. Nëse bëjmë një krahasim, kjo fushatë ngjan fiks me turrin e vitit 2017, kur sapo u zgjodh president i Republikës, nisi një revansh në çdo zone, duke sulmuar ashpër dhe pa kompromis Qeverinë dhe Edi Ramën. Mitingje, studio televizive, takime në shtëpi e rrugë e rrugica në qytete e fshatra.
I vetmi ndryshim, ishte se nuk kishte dekorata ngaqë nuk ishte betuar ende, por këto fushata ngjajnë. E si rezultat? LSI-ja arriti të marrë 18 deputetë, duke bërë që opozitës së Lulzim Bashës t’i firojnë 250 mijë vota, ndërkohë që ky i fundit i kishte bërë thirrje votuesve të djathtë që kishin hedhur fletën për LSI-në në zgjëedhjet e 2013, që të “kthehen në shtëpi”.
Edhe tani Meta po synon që të marrë vota opozitarësh të mërzitur me Qeverinë e Edi Ramës, duke krijuar një raport edhe direkt me ta nëpërmjet dekoratave që po i lëshon pa hesap; për të gjallë dhe të vdekur. Po të shikosh me kujdes dekoratat që ka shpërndarë këtë javë presidenti në Dibër, thuajse të gjithë familjarët e atyre që nuk jetojnë, por edhe ata që kanë marrë dekoratë “live”, janë votues të së djathtës.
E dekoratat presidenciale, nuk është se janë thjesht kanaçe herë pas here, por një pjesë e tyre, janë një stacion për të marrë pension të posaçëm, sidomos nga njerëz të artit, kulturës dhe letërsisë. Një manovër e përdorur edhe nga presidentët e mëparshëm që kanë dekoruar edhe nga dy herë artistë të njohur, vetëm e vetëm për të rakorduar me hyrjet në fuqi të abdetimeve të ligjeve apo vendimeve për pensionet speciale. E duke qenë kështu, këto dekorata përbëjnë një shpërblim të rëndësishëm për personin që e merr, dhe duket se strategjia është e qartë. E cila si në Vlorë, Përmet, Dibër, apo zona të tjera do të ndjekë një amplitudë të studiuar për qëllime elektorale.
Në Dibër, ku Meta ka edhe një relacion të afërt, si pasojë e origjinës së bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit, familja Meta nuk është se ka një relacion të mirë elektoral, pasi në 2009 Monika dështoi të zgjidhet deputete. Në një qark me 6 deputetë si Dibra, është e vështirë të imponohet një parti jashtë korpusit PD-PS, por modeli i 2017-ës, ku Reme Lala e PDIU doli duke përdorur ombrellën e fortë të PS-së, natyrisht edhe LSI do të tentojë të kapë një pozicion të tillë.
“Partia e Presidentit” e shpallur publikisht më 2 mars, që e përmend shpesh Meta, ndoshta nuk do të kthehet në listë zyrtare, por synon të grumbullojë sa më shumë kundërshtarë të Qeverisë, që e shohin Metën si “një skifter” karshi Bashës. E që në fund, tentohet natyrisht që të shkojnë drejt LSI-së, e cila nuk është më partia që të gjen punë, por një dekoratë edhe ta jep…