Chelsea duket se ka luhatje edhe këtë sezon teksa milionat e shpenzuara në merkato nuk po japin efekt që në fillim tek rezultatet. Në një transferë të lehtë në letër, londinezët evituan një turpërim nga një skuadër që sapo është ngjitur në Premier League, West Bromwich Albion. Minuta e 28-të shënonte 3-0 në disfavor të bluve, teksa gabimet trashanike të Alonsos, Thago Silvës dhe Reece James ndikuan drejtpërdrejt tek gola.
Por në pjesën e dytë Chelsea u rikthye. Lampard inkuadroi menjëherë Azpilicuetën dhe Hudson- Oddoin. Ky i fundit e shpërbleu edhe me gol pasi Mason Mount kishte lëshuar një predhë për të rihapur sfidën. Teksa sfida ishte duke u mbyllur, në minutat e fundit, sulmuesi Tammy Abraham u gjet para portës së boshatisur falë një rrëmuje për t’i dhënë një pikë të tijve. Chelsea në këto 3 ndeshje të para ka marrë 4 pikë, nga 1 fitore, barazim e humbje.